Paditet BIK-u nga një ish-profesor i Medresesë

Kronika January 16, 2019 - 18:50
Lexo Detajet

Ish-profesori i Medresesë, Emin Behrami, ka parashtruar një kallëzim penal kundër Bashkësisë Islame të Kosovës me arsyetimin se ky institucion ka bërë tradhti ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit të Kosovës.

Behrami këtë kallëzim penal e ka arsyetuar duke thënë se Kushtetuta e BIK-ut, e cenon territorin e Kosovës ngase në nenin 1.4. të Kushtetutës së BIK-ut thuhet se “Rajoni i Mitrovicës e përbëjnë Këshilli i Bashkësisë Islame i Mitrovicës, i Vushtrrisë dhe i Skenderajt”.

Në këtë mënyrë tri komunat veriore të Republikës së Kosovës: Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku fare nuk janë përfshirë nën juridiksionin e rajonit të Mitrovicës thuhet në kallëzimin penal që ish-profesori nga Vushtrria ka bërë ndaj BIK-ut.

E këtë veprim profesori i Kuranit e ka cilësuar si skandaloz.

Prandaj ai ka kërkuar nga Departamenti i Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore e Prishtinës të ndjek penalisht: Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava dhe bashkëpunëtorët e tij: Resul Rexhepi, Xhavit Qerimi dhe Fadil Hasanit, ngase sipas Behramit ata kanë shkëputur pjesën veriore nga tërësia territoriale e Kosovës.

T7 ka kontaktuar zyrtarët për informim në BIK, por ata nuk kanë komentuar në lidhje me këtë kallëzim penal që Emin Behrami ka paraqitur në Prokurorinë e Shtetit.