'Remi' kthehet nga Specialja, Lushtaku intervistohet sot

Kronika January 16, 2019 - 08:05
Lexo tjera detaje
Image

 

Dje ka përfunduar intervistomi dyditor i ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, i njohur si komandant “Remi”. Ai ishte ish-zyrtari i parë i UÇK-së i intervistuar në Hagë në kuadër të Gjykatës Speciale, shkruan Gazeta "Zëri".

“Remi” pas nëntë orëve të intervistimit nga Prokuroria e Specializuar tha se është “dëshmitar i dyshuar”, por nuk dha më shumë detaje nga intervista në Hagë. “Unë kam një fjalë të shkurtër. Kam pasur shumë pyetje, sot përfundoi intervista. Isha i ftuar si dëshmitar i dyshuar. Ka qenë intervistë e gjatë. Pyetjet ishin shumë serioze, edhe ne kemi qenë shumë seriozë”, ka thënë Mustafa para gazetarëve. Mbrojtja e “Remit” ka konfirmuar se ai do të kthehet në Kosovë.

Ndërsa sot para prokurorit të specializuar të Hagës pritet të dalë Sami Lushtaku, ish-komandant i Zonës Operative të Drenicës. Lushtaku dje ka arritur në Holandë, gjë të cilën e konfirmoi deputeti i Nismës Milaim Zeka, që po e shoqëron Lushtakun në Hagë. “Me gjeneralin Sami Lushtaku dhe me deputetin Mërgim Lushtaku kemi arritur në Holandë. Pas pak pritet takimi me avokatin britanik, i cili ka qenë prokuror kundër Millosheviqit në Tribunalin e Hagës”, ka shkruar Zeka në rrjetin social “Facebook”.

Cenës as pas dy ditësh nuk i është caktuar statusi i intervistimit

Përpos në Hagë, intervistimi i ish-pjesëtarëve të UÇK-së ka vazhduar edhe në Prishtinë. Sabahajdin Cena, ish-anëtar i Zonës së Pashtrikut gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të hënën dhe të martën është intervistuar nga hetues të Prokurorisë së Specializuar në Prishtinë, ndonëse atij ende nuk i është përcaktuar statusi në të cilin po intervistohet.
Këtë gjë e ka konfirmuar për gazetën “Zëri” avokati i tij Mahmut Halimi, i cili ka theksuar se gjatë deklaratës së Cenës dhe paraqitjes së provave nga ana e Prokurorisë po dëshmohet që ish-luftëtari i UÇK-së Cena nuk do të jetë i akuzuar nga kjo gjykatë.

“Besoj se nuk do të ketë aktakuzë, sepse për momentin Cena është vetëm i dyshuar dhe ende nuk e ka statusin e të pandehurit, do të thotë ende nuk është vendosur nëse do të iniciohet procedurë kundër tij ose jo, shpresoj që do të kalojmë mirë dhe klienti im nuk do të ketë akuzë, sepse ai asnjë shkelje të vetme gjatë gjithë kohës së tij si shërbyes në UÇK nuk e ka bërë dhe nuk e ka cenuar integritetin e askujt. Kjo po dëshmohet gjatë deklaratës së tij dhe me prezantimin e provave nga ana e Prokurorisë”, ka thënë Halimi.

Gashi: Specialja ka dërguar edhe shumë ftesa tjera që nuk janë bërë publike

Në anën tjetër, avokati Tomë Gashi duke folur për aktivizimin e Gjykatës Speciale ka thënë për “Zërin” që përpos ftesave që tashmë janë bërë publike, ka edhe shumë persona të tjerë që janë ftuar, por që nuk e kanë bërë publike këtë gjë. “Ka shumë persona që kanë marrë ftesa, por kanë vendosur të mos i bëjnë publike derisa të ofrohet data e intervistimit të tyre për t’u përballur me këtë gjykatë monstruoze, të cilën deputetët e Kuvendit të Kosovës e formuan. Tanimë punën e Gjykatës Speciale nuk mund ta ndalojë askush, kjo ka filluar dhe fundi i saj as që dihet dhe nuk dihet as për personat që do të ftohen në të ardhmen, përveçqë ata që e kanë emrin në raportin e Dick Martit mund të ftohen në çfarëdo cilësie që prokurori e përcakton për ta”, ka thënë ai.

Gashi vlerëson se personat që tashmë janë duke u intervistuar në Kosovë mund të jenë vetëm dëshmitarë, mirëpo sipas tij e njëjta gjë nuk qëndron edhe për personat që janë ftuar në Hagë. “Personat që janë duke u intervistuar në Kosovë janë krejtësisht të niveleve më të ulëta dhe ka gjasa që shumica prej tyre mund të intervistohen në cilësinë e dëshmitarit. Ndërsa është pak e vështirë të besohet që dikush nga personat, ftesat e të cilëve janë bërë publike, të mundë të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit në Hagë, sepse këto ftesa atëherë do të duhej të ishin konfidenciale”, ka thënë ai.

Ai thekson se deklaratat që jepen nga të ftuarit në Hagë do të mbesin konfidenciale për një kohë të gjatë, gjë që sipas tij është normale.