Ish-deputeti i PDK-së i përfshirë në rastin 'Pronto' zgjidhet kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës
Me dhjetë vota për asnjë kundër asnjë abstenim, Bahri Hyseni u zgjodh Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës. Ai do ta drejtojë Këshillin Prokurorial për tre vite.
Ish deputeti i PDK, është zgjedhur kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës. Por, Bahri Hyseni kishte qenë i përfshirë në aferën e përgjimeve “Pronto”.
I akuzuar në aferën “Pronto”, Bahri Hyseni ia kishte besuar “Shefit” zgjedhjen që do t’i bënte për një pozitë të lartë në institucionet shtetërore. Shefi, e kishte përzgjedhur për anëtar të Bordit të Transmisionit dhe Tregut. Por, Hyseni pos që nuk kishte konkurruar, ai nuk e dinte se çfarë do të thotë KOSTT.
Pak kohë pas kësaj ngjarje që dëshmohet me një bisedë telefonike, Hyseni është bërë prokuror i Shtetit.
Mirëpo, sot, Këshilli Prokurorial i Kosovës, me dhjetë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Bahri Hyseni u zgjodh Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Ai do ta drejtojë Këshillin Prokurorial për tre vite.
Bahri Hyseni para kësaj pozite shërbyer si Deputet në Kuvendin e Kosovës dhe Kryetar i komunës së Shtërpces për partinë Demokratike të Kosovës.
Prokuroria Speciale, në prill të këtij viti, ngriti aktakuzën për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.
Në mesin e tyre ishte emërimi i prokurorit Bahri Hyseni si anëtar i KOST-it, pa asnjë kriter.
Njëjtë kishin vepruar edhe në përzgjedhjen e anëtarëve të bordit në Ujësjellësin e Prizrenit, ku kriteri i vetëm për Grabovcin e Nijazi Kryeziun ishte partia politike.
Dy vite pasi u publikuan këto përgjime, Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj 11 personave të përfshirë në rastin Pronto.