Miftaraj: Specialja po përgatitet për arrestimin 'e të fortëve' të Kosovës

Kronika December 12, 2018 - 11:33
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Gjykata Speciale ua ka dërguar ftesat në “zarf” katër ish-eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për t’u paraqitur në Hagë, duke e dëshmuar kështu aktivizimin e plotë të këtij institucioni të drejtësisë, shkruan Zëri. 

Duke folur për ftesat e para të Gjykatës Speciale, Ehat Miftaraj, nga IKD-ja, ka thënë për “Zërin” që kjo gjykatë po synon ta përgatisë opinionin publik për arrestimet e ardhshme, që do të lidhen me figura të fuqishme politike të Kosovës.

“Mënyra sesi ka filluar punën prokurori i specializuar, si rasti i ftesës për intervistim të z. Mustafës ose z. Dobrunës, dëshmon strategjinë që ky institucion ka filluar ta zbatojë. Si duket strategjia e Prokurorisë është që të mos fillojë me arrestime të bujshme ose spektakolare, por përmes ftesave të tilla, që mund të perceptohet si parapërgatitje e opinionit publik në Kosovë me Gjykatën Speciale dhe që arrestimet e ardhshme, të cilat mund të ndërlidhen me figura të fuqishme qoftë politike ose ushtarake në Kosovë, të pranohen më me qetësi”, ka thënë ai.

Miftaraj ka theksuar se Gjykata Speciale me punën e saj do të ndikojë në skenën politike në vend.

“Sigurisht se varësisht nga figurat politike në pushtet, që mund të jenë subjekt të aktakuzave nga prokurori i specializuar dhe arrestimit të tyre, mund të ndikojë edhe në skenën politike në Kosovë e që lehtësisht mund të ndikojë edhe në koalicionin aktual qeveritar”, ka thënë ai. /ZERI