Tomë Gashi thotë se është kontaktuar nga Prokurori i Speciales

Tomë Gashi thotë se është kontaktuar nga Prokurori i Speciales

Kronika dhjetor 11, 2018 - 19:16
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Avokati Tomë Gashi ka bërë të ditur se është kontaktuar nga Zyra e Prokurorit Special të Gjykatës Speciale, mirëpo nuk ka dashur t’i bëjë të ditur emrat e personave lidhur me të cilët është kontaktuar.

“Zyra e Prokurorit Speciale ka tentuar dhe më ka kontaktuar disa herë, por nuk jam prej atyre avokatëve që i bëjë publike se për kë është fjala”, tha Gashi në  Info Magazine të Klan Kosovës.

“Kam kërkuar nga Zyra e Prokurorit Special që të ma dërgojë materialin përmes e-mail’it, postës, apo që të vjen ai vet me dokumentet përkatëse, në mënyrë që ta dimë se pse dëshiron ta intervistojë dikë, për të cilin unë mund të jem avokat i tij”, tha ai.

“Kanë qenë biseda telefonike më shumë se katër herë, ai ka kërkuar të më kontaktojë përmes Viber ose WhatsApp, mirëpo unë kam kërkuar shkresë zyrtare”.

Gashi theksoi se për të ftuarit e deritanishëm për intervistim nga Gjykata Speciale nuk ka pasur ftesa zyrtare apo komunikata zyrtare të publikuara nga kjo gjykatë.

“Në momentin që më dërgohet ftesa në mënyrë zyrtare do e njoftoj personin në fjalë dhe s’kemi problem, ne i përgjigjemi ftesave”.

Avokati Gashi gjithashtu deklaroi se tek ftesat që do të vijnë nga Gjykata Speciale, qoftë për intervistim apo për të akuzuar, bëhet fjalë për zyrtarë të lartë shtetërorë dhe ish komandantë të UÇK-së.

Ai ka shprehur kritika të ashpra për mënyrën e komunikimit të kësaj zyreje.