225 meshkuj janë viktima të dhunës në familje

Kronika December 08, 2018 - 08:19
Lexo tjera detaje
Image

Viktima të dhunës në familje nuk janë vetëm femrat, numri i të cilave është vazhdimisht në rritje dhe dhuna ndaj tyre shpesh është kthyer në tragjedi. As meshkujt kosovarë nuk po shpëtojnë  lehtë kundrejt kësaj dukurie. Rritja e rasteve të dhunës brenda familjes vlerësohet si shumë shqetësuese nga njohës të çështjeve të sigurisë dhe nga sociologë, të cilët përmendin edhe faktorët që po ndikojnë në shkatërrimin e familjes, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Që nga paslufta dukuria e dhunës brenda familjes ka shënuar rritje të vazhdueshme. Viktima të dhunës në familje nuk janë vetëm femrat, numri i të cilave është rritur dukshëm këtë vit. Dhunës në familje nuk i shpëtojnë as meshkujt.

Zyrtarë për medie në Policinë e Kosovës bëjnë të ditur se vetëm nga janari deri në shtator të këtij viti 225 meshkuj kanë qenë viktima të dhunës në familje. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, ka bërë të ditur se vetëm brenda nëntë muajve të këtij viti janë shënuar mbi 1100 raste të dhunës në familje, ndërsa gjatë gjithë vitit të kaluar janë shënuar mbi 1200 raste të tilla. “Rastet ‘Dhunë në familje’ në periudhën nëntëmujore janë evidentuar 1129 raste. Në këto raste 901 viktima kanë qenë femra dhe 225 meshkuj, kurse vitin e kaluar kanë qenë 1271 raste, ku 958 viktima kanë qenë femra dhe 261 kanë qenë meshkuj”, ka bërë të ditur Krasniqi.

Ndërkohë vetëm në nëntor të këtij viti sipas Policisë së Kosovës janë shënuar 135 raste të dhunës në familje. Megjithatë si pasojë e dhunës në familje, femrat janë ato të cilat e pësojnë edhe me vdekje, siç ishte edhe rasti i Valbona Marku-Ndrecajt dhe i vajzës së saj nëntëvjeçare, të cilat në gusht të këtij viti u qëlluan për vdekje nga bashkëshorti, konkretisht babai i tyre Pjetër Ndrecaj.

Islami: Organet e ndjekjes dhe të drejtësisë t’i marrin seriozisht këto raste

Rritja e dhunës brenda familjes nga njohës të çështjeve të sigurisë shihet i pasojë e shumë faktorëve.  Konsumimi i alkoolit dhe i drogave sipas njohësit të çështjeve të sigurisë Avni Islamit, deri pas luftës nuk ka qenë shumë i pranishëm në familjet kosovare dhe rritja e konsumimit të tyre është njëri ndër shkaktarët e kësaj dukurie negative në shoqërinë kosovare. Islami pohon se dhuna në familje është dukuri shqetësuese jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet më të zhvilluara. Mirëpo, sipas tij, janë edhe disa faktorë të tjerë përveç drogave dhe alkoolit që po ndikojnë në rritjen e dhunës në familjet kosovare. “Te ne janë disa faktorë të cilët deri më tani nuk janë shfaqur, pasi pirja e alkoolit dhe e drogës nuk ka qenë në trend, mirëpo në 20 vjetët e fundit dhuna në familje është rritur si rezultat i përdorimit të drogave, si dhe i përdorimit të alkoolit. Janë faktorët socio-ekonomikë të cilët kanë ndikuar dhe po ndikojnë viteve të fundit në rritjen e dhunës në familje”, është shprehur Islami.  

Pozitive në këtë dukuri Islami e sheh vetëdijesimin e viktimave të dhunës, të cilat kanë guximin t’i raportojnë këto raste. Mirëpo sipas tij, raportimet e dhunës në familje nuk po merren seriozisht nga institucionet përgjegjëse për ndërmarrjen e veprimeve në parandalimin e këtyre rasteve. “Institucioni i parë që lajmërohet për këto raste është Policia dhe në shumicën e rasteve këto janë neglizhuar nga Policia dhe për shkak të neglizhencës ka ardhur edhe deri të vrasja e viktimave të dhunës. Policia e Kosovës, Prokuroria dhe gjykatat duhet të merren më seriozisht dhe t’i trajtojnë rastet veç e veç dhe të mos i neglizhojnë, pasi ka raste të evidentuara ku është lajmëruar rasti tri ose katër herë dhe nuk është ndërmarrë asnjë masë ndaj personit që ka ushtruar dhunë dhe ka ardhur deri të vrasja e viktimës”, u shpreh Islami.

Hasani: Varfëria, shkaktari kryesor i dhunës në familje

Në anën tjetër sociologu Shaip Hasani pohon se shkaktarë të dhunës brenda familjes vijnë nga faktorët e jashtëm dhe të brendshëm.  Varfëria dhe paperspektiva janë faktorët kryesorë. “Krejt dhuna rrjedh nga bazamenti që unë e  quaj varfëri ekonomike, pa zhvillim ekonomik rriten tensionet, ambienti i qarkullimit të vetëdijes së qytetarëve në Kosovë është aq i papërshtatshëm, vërsuljet e mëdha nga faktorët e jashtëm dhe të brendshëm e kanë bërë popullsinë pa ndonjë perspektivë, pa ëndrra dhe realizmin e tyre”, pohon sociologu Hasan.

Sipas tij, edhe pamundësia e lëvizjes së lirë, edhe izolimi si shkak i mungesës së liberalizimit të vizave, refleksioni rreth agresivitetit dhe të dhunës. “Edhe çështja e pamundësisë së lëvizjes së lirë ndikon në jetën e përditshme të qytetarëve sikur nuk kanë nga t’ia mbajnë dhe pastaj refleksionet rreth agresivitetit dhe dhunës janë të pashmangshme në përditshmërinë e jetës sociale në Kosovë”, thotë ai. /ZËRI