Smaka: Shkaku kryesor i lëndëve të pazgjidhura është mungesa e profesionalizmit

Kronika September 15, 2018 - 21:18
Lexo detajet

Pavarësisht rritjes së numrit të gjyqtarëve nëpër gjykatat themelore të Kosovës numri i lëndëve të pazgjidhura viteve të fundit ka shënuar rritje. Zvarritja e zgjidhjes së lëndëve, sidomos atyre të çështjeve civile, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) nga auditimet e performancës ka shënuar rritje në vitet e fundit, shkruan "Zëri.info". 

Njohësi i çështjeve juridike Riza Smaka thekson se nuk janë vetëm gjykatat ato që nuk po tregojnë efikasitet sa duhet.

Sipas tij, edhe prokuroritë dhe Policia kanë mungesë efikasiteti në punën e tyre.

“Jo vetëm gjykatat, por edhe prokuroritë dhe Policia vetëm t’i marrim rastet eklatante dhe drastike të plaçkitjes së dhomave të sigurisë së lartë, të cilat nuk u publikuan asnjëherë se kush i bëri ato krime. Është një sistem i ndërlidhur që nuk funksionon siç duhet. Unë konsideroj që shkaku kryesor është mungesa e profesionalizmit. Një numër i konsideruar i prokurorëve dhe gjykatësve nuk kanë eksperienca të nevojshme për të ushtruar funksionet që i kanë në mënyrë të pavarur, profesionale dhe në mënyrë efikase”, ka thënë Smaka për "Zërin". 

Ai pohon se Kosova kur ishte krahinë autonome edhe pse në atë kohë nuk ishin kushtet që janë tani, prokuroritë dhe gjykatat e Kosovës ishin më efikaset në ish-Jugosllavi.

Ndërsa sot, shton ai, me të gjitha kushtet që i kanë sistemi gjyqësor dhe prokurorial dalin raporte nga Komisioni i Këshillit të Evropës për Progres se diku rreth 500 mijë raste juridike janë të pakryera dhe kjo sipas tij është një çështje shumë serioze.

Për një rast gjyqësor, sipas Smakës, kërkohen shtatë deri në dhjetë vjet, që sipas tij është një periudhë shumë e gjatë dhe e pajustifikueshme.

Pasojat që vijnë nga zvarritja e lëndëve në gjykata, sipas tij, janë të shumta, duke përfshirë edhe vjetërsimin e lëndëve e duke mos harruar edhe raste kur zhduken lëndët dhe askush nuk jep përgjegjësi.

Ndryshe, sistemi gjyqësor vazhdimisht është kritikuar për numrin e madh të zvarritjeve të lëndëve në gjykatat e Kosovës dhe në raporte ndërkombëtare. /Zeri