Helmim masiv në Dibër, policia nis hetimet
“Menjëherë pas informacionit të marrë, Policia ka ngritur grupin hetimor dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Spitalit Peshkopi, kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun nga se ka ardhur helmimi i këtyre shtetasve”, thuhet në njoftimin policor. Rreth 100 persona, të rritur dhe fëmijë janë paraqitur në spitalin e Peshkopisë me simptoma të helmimit.
Një fakt i tillë u konfirmua nga drejtori i Spitalit të Peshkopisë Beqir Bici në një intervistë telefonike për Ora News. Ai thotë se kjo situatë ka vijuar nga e hëna dhe një pjesë e pacientëve pasi kanë marrë ndihmën mjekësore janë larguar. Plot 18 të helmuar janë fëmijë të moshës nën 16 vjeç. Drejtori i spitalit thotë se aktualisht janë të shtruar 35 persona dhe se është njoftuar policia lidhur me ngjarjen.
Situata e helmimit bëhet enigmatike pasi numri i madh personash nga lagje të ndryshme të qytetit e periferisë kanë paraqitur simptomat e helmimit për tre ditë rresht. Mësohet se një pjesë e fëmijëve janë nxënës të klasës së 6-të të shkollës “Selim Alliu” të cilët u helmuan teksa ishin në një ditëlindje, shkruan shekulli.