Portieri i talentuar kosovar bind Twenten, ftohet menjëherë në stërvitjet me ekipin e parë
Portieri i talentuar kosovar, Rijad Bytyqi do ta vazhdojë karrierën në Holandë. Ekipi i njohur, Twente është bindur nga aftësitë e tij dhe e ka transferuar 19-vjeçarin nga Komuna e Lipjanit.
Reprezentuesi i të rinjve të Kosovës brenda pak ditëve madje arriti të shkonte në kamp me ekipin e parë të Twentes.
I kontaktuar nga express, Bytyqi tregon se fillimisht u transferua tek ekipi U-21, por brenda një periudhe të shkurtër, u ftua në ekipin e parë, për shkak të një mungese.
“Twente ishin të interesuar në sherbimin tim qysh nga fillimi i vitit 2022, mirëpo une isha ende në Gjermani duke zhvilluar sezonin, pastaj kam bërë disa prova dhe ata kanë qenë të interesuar me nënshkru me mua që nga dita e parë me akademinë. Së pari jam transferuar në akademi, ku edhe këtu jam për momentin tek ekipa U-21, mirëpo në kampin stërvitës të ekipit të parë kam qene i ftuar pas 6 ditësh në akademi, pasi që ka pasur lëndime tek ekipa e parë në repartin e portierëve dhe pastaj më kanë thirrë ekipa e parë si portier nga akademia me e zëvendësu mungesën”, tregon ai.
Bytyqi thotë se kjo është mahnitëse, pasi në akademi ka portierë që me vite janë pjesë e Twentes, por trajnerët i besuan atij.
“Kjo ka qenë mahnitëse pasi që në akademi ka portierë që janë pjesë e Twentes me vite të shumta, mirëpo trajnerët më kanë besuar mua që të jem pjesë e kampit dhe ju kam bashkangjitur me gjithë kënaqësinë, ku edhe kam përfituar eksperiencë të madhe prej lojtarëve të klasit botëror”, vazhdoi Bytyqi.
Ai tregon se karrierën e ka filluar në moshën 10-11 vjeçare në klubin e fshatit të tij, për të vazhduar rritjen gradualisht.
“Karrieren e kam filluar së pari në moshën afro 10-11 vjeçare në klub të fshatit dhe pastaj kam qenë në akademinë Roni 19, ku atu është bashkangjitur një akademi zvicerane Marc Budry dhe pastaj jam transferuar në Bundesliga 2 U-19 Arminia Klosterhardt dhe kam pasur prova edhe tek Emmen dhe kanë dashur edhe ata që të nënshkruajnë, mirëpo kam vendosur së bashku me familjen dhe menaxherin për Twenten. Gjithashtu kam qenë pjesë e Kosovë U15, U17 dhe U19, i ftuar dy herë”, theksoi Bytyqi.
Tutje, portieri kosovar tregon synimet e tij për të ardhmen, teksa ëndërron të luajë për Barcelonën, ose të paktën në njërën nga ekipet e Premierligës.
“Synimet e mija janë që të zhvillohem ende më shumë në akademi, dhe të marr mundësinë të ushtroj më shpesh me ekipin e parë dhe sa më shpejt të debutoj në elitën profesionale. Si gjithmonë po them ëndrrat e mëdha që nga fëmijëria FC Barcelona, mirëpo te duket pak më reale, ndoshta të luaj në njërën prej ekipeve në Premier League”, përfundoi ai. /express