Vazhdon largimi i uzurpatorëve

Ekonomia May 26, 2016 - 08:25

Policia e Kosovës ka vazhduar të mërkurën në Mitrovicë aksionin për largimin e uzurpatorëve nga pronat e ndërmarrjeve shoqërore (NSH). Cak i bastisjeve të mërkurën ishte edhe shtëpia e biznesmenit Aziz Tafa

Largimi i uzurpatorëve nga pronat e ndërmarrjeve shoqërore (NSH) ka vazhduar të mërkurën në jug të Mitrovicës, por edhe në rajonin e Prizrenit.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në Mitrovicë në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, Policia ka realizuar edhe një aksion për largimin e uzurpatorëve nga prona shoqërore.

"Duke u bazuar në vendimet e autoriteteve kompetente vazhdon largimi i uzurpatorëve nga pronat që mbahen në mënyrë të kundërligjshme", tha Daut Hoxha.

Ai ka bërë të ditur se po këtë ditë Policia e Kosovës ka bastisur edhe shtëpinë e biznesmenit Aziz Tafa.

"Policia e Kosovës me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren ka ndërmarrë një operacion policor në dy lokacione ku përfshihen rajoni i Prishtinës dhe ai i Prizrenit. Detajet lidhur me rezultatet e operacionit do të bëhen të ditura me kohë", thotë Hoxha. 

Avni Jashari, zëvendësdrejtor në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, konfirmon aksionin e policisë në Mitrovicë. Ai thotë se aksione tjera do të ketë edhe në ditët në vijim.

“Në Mitrovicë është liruar prona shoqërore. Ndërkaq, në Prizren aksioni nuk ka pasur të bëjë me privatizim, por jo largimi i uzurpatorëve prej pronave të ndërmarrjeve shoqërore”, ka thënë ai për gazetën “Zëri”.

Përndryshe, prokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Armend Hamiti, ka konfirmuar se hetimet për lirimin e pronave të uzurpuara në rajonin e Prishtinës ka filluar për herë të parë në fund të vitit që lamë pas, pas një hulumtimi të botuar në gazetën “Zëri”.

“Në fund të vitit 2015 hetimet për lirimin e pronave të uzurpuara janë iniciuar pas një shkrimi në gazetën ‘Zëri’, me kërkesë të Zyrës së Kryeprokurorit të Kosovës, i cili ka kërkuar që të caktohet një prokuror që do të merret me këto raste të uzurpimeve”, ka deklaruar prokurori Hamiti gjatë një interviste të mërkurën (dje) për “Betimi për Drejtësi” që transmetohet në RTK.

Përndryshe, më 21 dhjetor 2015, në gazetën “Zëri” ishte botuar një hulumtim, ku bëhej e ditur se shumë lokale në kryeqendrën e Kosovës po mbahen të uzurpuara, pavarësisht se për të njëjtat vite më parë blerësit legjitimë i kishin paguar AKP-së qindra mijëra euro.

Në këtë hulumtim, në të cilin është punuar 6 muaj, bëhej e ditur se në mesin e uzurpatorëve ka edhe zyrtarë shtetërorë dhe ish-eprorë të lartë të UÇK-së.