Certifikohen dy kompani për tregun e arkave fiskale

Ekonomia April 29, 2016 - 08:03

Tregut të arkave fiskale pritet t’i futen edhe kompanitë, “BBROS” LLC dhe NTSH "Enternet". Këto dy kompani janë certifikuar, por Komisioni i krijuar në kuadër të  Administratës Tatimore të Kosovës ende nuk ka pranuar një raport nga laboratori, i cili ka bërë certifikimin e tyre. Për certifikim po presin edhe dy kompani të tjera

Rreth 600 pika të karburantit të naftës nuk kanë arka fiskale ashtu siç është kërkuar në Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Financave. Tregut të arkave fiskale pritet t’i futen edhe dy kompani të cilat janë licencuar nga laboratori i autorizuar për këtë punë nga niveli qendror. Deri më tani, kompania “Gekos” ka mbuluar rreth 80 për qind të tregut me arka fiskale. Në ATK, kanë treguar se janë certifikuar edhe kompanitë, “BBROS” LLC dhe NTSH "Enternet", të cilat pritet të fusin në treg arka fiskale.

Ndonëse, këto dy kompani janë certifikuar, Valentina Bytyqi - Sefa, zyrtare për komunikim me publikun në ATK, ka thënë se Komisioni ende nuk ka pranuar një raport nga laboratori, i cili ka bërë certifikimin e tyre. “Në momentin që licencohet një operator ekonomik dhe certifikon pajisjet elektronike fiskale, do të bëhen publike në ueb-faqe të ATK-së emrat e këtyre kompanive si dhe pajisjeve elektronike fiskale të certifikuara. Për momentin kemi 4 operatorë ekonomikë të autorizuar që pritet t’i certifikojnë pajisjet elektronike fiskale, ata janë: ‘Service Global EU’ SHPK, ku kjo kompani ende nuk ka arritur të certifikojë sistemin fiskal në laborator, ‘Global Trade’ po ashtu as kjo ende nuk ka arritur të certifikojë sistemin fiskal në laborator. Ndërsa,  ‘BBROS’ LLC ka arritur të certifikojë arkën fiskale në laborator, mirëpo raportin nga laboratori ende nuk e kemi pranuar ne si Komision dhe NTSH ‘Enternet’ ka arritur të certifikojë printerin fiskal në laborator, mirëpo raportin nga laboratori ende nuk e kemi pranuar ne si Komision”, ka thënë Bytyqi-Sefa, duke treguar se kompania “Gekos”, “Dukagjini”, “Printec” kanë përtëritur autorizimin me ATK-në. Zëdhënësja e ATK-së ka thënë se është krijuar Komisioni për Autorizim të Operatorëve Ekonomikë. Sipas saj, përgjegjësia e këtij Komisioni është që të shqyrtojë të gjitha kërkesat që bëhen nga kompanitë e interesuara për t’u licencuar si operator ekonomik me të drejtë shitje, instalim dhe mirëmbajtje të pajisjeve elektronike fiskale, si dhe të nxjerrë vendime për autorizim dhe refuzim. “Operatorë të rinj do të futen në treg vetëm atëherë kur i plotësojnë të gjitha kushtet që kërkohen sipas kushteve administrative, dhe pas kalimit me sukses të testimit të pjesës funksionale dhe teknike, e cila kryhet në laboratorin teknik. Pas testimit nga zyrtarët e laboratorit teknik, dorëzohet një raport i detajuar te Komisioni, në momentin që pranohet një raport i tillë, përgatitet vendimi i cili do të certifikonte pajisjen fiskale të cilën e ka ofruar operatori ekonomik, nga ai moment llogaritet që pajisja është e gatshme dhe e sigurt për shitje dhe instalim te tatimpaguesi”, ka treguar tutje Bytyqi –Sefa.

Ankohet “Service Global EU”

Fehmi Avdiu, pronari i kompanisë “Service Global EU” ka thënë se është afër fiskalizimit, por se Udhëzimi Administrativ, sipas tij, nuk është i harmonizuar në vetvete. “Ne e kemi pasur pajisjen në shikim në laborator. Sipas profesorit kemi qenë shumë afër që të certifikohemi. Mirëpo, më vonë me kompaninë që kemi qenë në garë së bashku, ajo është tërhequr nga ne dhe ka garuar si e vetme, dhe tash e dimë se është certifikuar. Por, ata e kanë ndërruar emrin, ne i kemi mostrat e pajisjes, ngase e kemi importuar dhe e kemi paguar doganën për të. Bëhet fjalë për kompaninë nga Nishi i Serbisë, ‘Overs’ e cila ka qenë nënkontraktor i yni. Udhëzimi Administrativ është në kundërshtim me vetveten, ka pika që kërkohen të përmbushen, më poshtë të njëjtat pika refuzohen nga pikat tjera. Për shembull: Në një pikë, kërkohet që servisimi në rastet e sistemit fiskal t’i jepet e drejta të punojë në mënyrë manuale 72 orë, një pikë tjetër thotë që në atë moment që nuk punon sistemi nuk guxon të bëhet shitja e mëtejme. Pra, në një pikë të lejon 72 orë, në një pikë të refuzon”, tha Avdiu.

Kurtaj: Nuk i pagoi paratë

Ndërkaq, profesori që është duke kryer punën në laborator, Lavdim Kurtaj, ka thënë që kompanitë që u fiskalizuan ende nuk i kanë kryer të gjitha obligimet financiare, andaj nuk ka shkuar raporti në ATK. “BBROS i ka kaluar testimet për një arkë fiskale (AF), raporti është i përfunduar, por edhe pas disa kërkesave ata nuk i kanë përfunduar obligimet financiare ndaj nesh, sipas tyre, për probleme me fonde. Zakonisht pagesa duhet të bëhet përpara, por pasi që i kishin partnerët e tyre nga jashtë dhe që të mos shkaktohen vonesa, ua kemi mundësuar që pagesën ta bëjnë ndërkohë derisa të përfundohet procedura e analizës së rezultateve dhe e dokumentacionit. As gjatë asaj kohe e as deri tani ata ende nuk e kanë realizuar obligimin e tyre. Ndërsa, ‘Enternet’ e ka kaluar me sukses një printer fiskal dhe një sistem fiskal dhe e ka të caktuar terminin për 2 arka fiskale. Për dy të parat (PF dhe SF) raporti është dorëzuar në ATK”, ka thënë Kurtaj. Ai ka thënë që kompania “Service Global EU” e ka filluar procedurën për një sistem fiskal, por nuk kanë shkuar në laborator për ta përfunduar, ndërkohë që, sipas tij, e ka pasur të paralajmëruar shikimin për një printer fiskal. Ndërkaq, për kompaninë “Global Trade”, Kurtaj ka thënë se deri tani ka pasur vetëm pyetje, por nuk ka shkuar ende me ndonjë pajisje që i plotëson specifikimet teknike dhe të sigurisë të cilat kërkohen. “Secila kompani e licencuar si operator ekonomik i pajisjeve fiskale mund të futë në treg cilëndo nga pajisjet fiskale: arkë fiskale, printer fiskal, apo sistem fiskal, pasi që ato t’i kalojnë procedurat e kërkuara me dokumentet në fuqi”, ka thënë Kurtaj.

Ndryshe, deri më tash janë të fiskalizuar 42 kompani me 127 pika të shitjes së derivateve të naftës. Në vitin 2013 janë fiskalizuar 42 pika të shitjes, ndërkaq në vitin 2014 janë fiskalizuar 40 pika të shitjes. Në vitin 2015 janë fiskalizuar 45 pika të shitjes, mirëpo këto pika janë të kompanive që kanë filluar fiskalizimin viteve të kaluara. Shumica e këtyre kompanive kontratat për fiskalizim i kanë bërë në vitin 2013 dhe kanë vazhduar pastaj me fiskalizimin e pikave që kanë mbetur pa u fiskalizuar. Ndërkaq, vlera e gjobës për mospajisje me arkë fiskale është 1000 euro. Gjobat ndaj bizneseve për moslëshim të kuponit fiskal, janë të parapara sipas Ligjit nr; 03/L-222, ku gjoba përcaktohet sipas qarkullimit vjetor, duke filluar nga 125 euro deri në 1000 euro.