Eksportet e Kosovës rriten për 27,5%, por deficiti tregtar arrin në 534 milionë euro

Eksportet e Kosovës rriten për 27,5%, por deficiti tregtar arrin në 534 milionë euro

Ekonomia October 23, 2026 - 13:37

Kosova ka eksportuar mallra në vlerë prej 109.4 milionë eurosh gjatë shtatorit, ndërsa importet kanë arritur në 643.4 milionë euro. Eksportet mbulojnë vetëm 17% të importeve.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për tregtinë e jashtme të mallrave për muajin shtator 2026, të cilat tregojnë rritje të eksporteve dhe importeve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, transmeton Zeri.info.

Sipas ASK-së, eksportet e Kosovës në shtator arritën në 109.4 milionë euro, duke shënuar rritje prej 27.5% krahasuar me shtatorin e vitit 2025, kur vlera e tyre ishte 85.8 milionë euro.

Ndërkohë, importet arritën në 643.4 milionë euro, apo 6.1% më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur kishin vlerën prej 606.2 milionë eurosh.

Si rrjedhojë, deficiti tregtar në shtator arriti në 534 milionë euro, krahasuar me 520.5 milionë euro në shtator të vitit 2025. Kjo paraqet një rritje prej rreth 2.6%.

Të dhënat tregojnë se eksportet mbulojnë vetëm 17% të importeve, duke dëshmuar diferencën e madhe mes mallrave që Kosova shet jashtë vendit dhe atyre që blen nga tregjet ndërkombëtare.

Sa u përket produkteve të eksportuara, pjesën më të madhe e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, me 24,3%, të pasuara nga produktet minerale me 17.1%. Plastika, goma dhe artikujt prej tyre përbëjnë 10,3% të eksporteve, ndërsa ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani 10.1%.

Në anën e importeve, produktet minerale zënë pjesën më të madhe, me 19.8%. Pas tyre renditen ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 11,8%, mjetet e transportit me 11,2%, makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike me 11,1%, si dhe metalet bazë me 10,1%.

Vendet e CEFTA-s mbeten tregu kryesor për eksportet e Kosovës. Në shtator, eksportet drejt këtyre vendeve arritën në 55.6 milionë euro, apo 50.8% të eksporteve të përgjithshme, me rritje prej 36.8% krahasuar me një vit më parë.

Image

Partnerët kryesorë të Kosovës për eksport brenda CEFTA-s ishin Shqipëria, me 25.3%, Maqedonia e Veriut, me 13.9%, Mali i Zi, me 5% dhe Serbia, me 4,5%.

Ndërkohë, eksportet drejt vendeve të Bashkimit Evropian arritën në 34.2 milionë euro, duke përbërë 31,3% të eksporteve të përgjithshme dhe shënuar rritje prej 22,1%. Gjermania ishte partneri kryesor për eksport në BE, me 9,8%.

Sa u përket importeve, nga vendet e Bashkimit Evropian Kosova importoi mallra në vlerë prej rreth 281 milionë eurosh, ose 43,7% të importeve të përgjithshme. Kjo paraqet rritje prej 12,7% krahasuar me shtatorin e vitit 2025. /Zëri