Çmimet më 2025 u rritën për 3,9%
Foto: Laura Hasani

Çmimet më 2025 u rritën për 3,9%

Ekonomia May 18, 2026 - 17:35

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë të ditur se Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) në vend gjatë vitit 2025 ishte më i lartë për një mesatare prej 3.9 për qind, krahasuar me vitin 2024.

Ndonëse, shkalla vjetore e inflacionit në muajin prill 2026 ka arritur në 7.5 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa inflacioni mujor ishte 1.1 për qind.

Sipas ASK-së, rritja e çmimeve është ndikuar kryesisht nga disa grupe të konsumit sipas klasifikimit COICOP.

Rritjen më të madhe e shënuan grupet: pije alkoolike, duhan dhe narkotikë me 7.6 për qind, informacion dhe komunikim me 6.8 për qind, si dhe kujdes personal, mbrojtje sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme me 4.8 për qind.

Po ashtu, çmimet u rritën edhe te veshja dhe këpucët me 4.4 për qind, mobiljet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja rutinore shtëpiake me 4.1 për qind, si dhe te strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse me 3.5 për qind.

“Rritja është ndikuar nga grupet kryesore të COICOP-it: pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (7,6 %); informacion dhe komunikim (6,8 %); kujdes personal, mbrojtje sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (4,8 %); veshje dhe këpucë (4,4 %); mobilje, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore shtëpiake (4,1 %); strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (3,5 %); ushqim dhe pije joalkoolike (3,3 %); sigurim dhe shërbime financiare (2,7 %), shëndetësi (2,7 %); transport (2,6 %) dhe shërbime arsimore (2,4 %)”, thuhet në raportin e sotëm.

ASK njofton se ngritje pati edhe te ushqimi dhe pijet joalkoolike me 3.3 për qind, sigurimet dhe shërbimet financiare me 2.7 për qind, shëndetësia me 2.7 për qind, transporti me 2.6 për qind dhe shërbimet arsimore me 2.4 për qind.

Ndërkaq, rënie e çmimeve është regjistruar te grupi i restoranteve dhe shërbimeve të akomodimit me 1.4 për qind, si dhe te rekreacioni, sporti dhe kultura me 1.1 për qind.