ASK: Inflacioni në Kosovë arrin 6.7% në mars 2026, rritje mujore 1.5%
Foto: Laura Hasani

ASK: Inflacioni në Kosovë arrin 6.7% në mars 2026, rritje mujore 1.5%

Ekonomia April 10, 2026 - 23:19

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin mars 2026, duke treguar një rritje të ndjeshme të çmimeve të konsumit në vend.

Sipas të dhënave zyrtare, inflacioni vjetor në mars 2026 ka arritur në 6.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa inflacioni mujor ka shënuar rritje prej 1.5% krahasuar me shkurtin 2026.

Rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i disa kategorive kryesore të konsumit. Ndër rritjet më të theksuara përfshihen shërbimet që lidhen me pajisjet personale të transportit (42.5%), biletat e fluturimeve (38.4%), furnizimi me ujë dhe shërbimet e banimit (31.9%), si dhe energjia elektrike dhe karburantet (17.4%). Po ashtu, rritje të konsiderueshme janë vërejtur edhe te produktet ushqimore si pemët (13.1%), mishi (12.4%) dhe produktet e tjera bazë.

Në nivel mujor (mars 2026 krahasuar me shkurt 2026), rritja prej 1.5% është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i karburanteve dhe lubrifikantëve për transport personal (25.8%), si dhe rritja e çmimeve të perimeve, pemëve dhe mishit.

Ndërkohë, ASK bën të ditur se ka pasur edhe rënie të çmimeve në disa kategori, përfshirë energjinë elektrike (-3.7%) dhe lëndët djegëse të ngurta si drutë dhe peleti (-2.2%), të cilat kanë ndikuar në uljen e përgjithshme të indeksit për rreth -0.2%.

Këto të dhëna tregojnë për një presion të vazhdueshëm inflacionar në ekonomi, i ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve në sektorët e energjisë, transportit dhe ushqimit./rtk