Kosova nënshkruan marrëveshje 96 milionë euroshe me Bankën Botërore për financa dhe tregti

Kosova nënshkruan marrëveshje 96 milionë euroshe me Bankën Botërore për financa dhe tregti

Ekonomia April 10, 2026 - 11:19

Ministria e Financave dhe Banka Botërore kanë nënshkruar dy marrëveshje në vlerë totale prej 96 milionë euro, të fokusuara në forcimin e sektorit financiar dhe lehtësimin e tregtisë në Kosovë.

Sipas njoftimit nga Ministria e Financave, marrëveshjet përfshijnë Projektin për Zhvillimin e Sektorit Financiar (FSDP), me vlerë 50 milionë euro, si dhe Projektin për Lehtësimin e Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0 (TTFP 2.0), që përbëhet nga kredi prej 35 milionë euro dhe grant prej 12 milionë euro. Këto iniciativa synojnë mbështetjen e reformave strukturore dhe investimeve strategjike, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, transmeton Zeri.info.

Sipas njoftimit, projekti për zhvillimin e sektorit financiar do të mbështesë themelimin dhe funksionalizimin e Bankës Zhvillimore, kapitalizimin e institucioneve financiare, zgjerimin e instrumenteve të garancisë kreditore për bizneset, si dhe zhvillimin e një infrastrukture moderne të pagesave përmes sistemit të pagesave të shpejta.

Ndërkohë, projekti për lehtësimin e tregtisë dhe transportit synon përmirësimin e infrastrukturës dhe procedurave në pikat kufitare, digjitalizimin e proceseve tregtare dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tregut, duke e afruar vendin me rrjetet dhe standardet evropiane.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, theksoi se këto marrëveshje janë hapa të rëndësishëm drejt forcimit të stabilitetit financiar dhe zhvillimit ekonomik, duke përmirësuar qasjen në financa për bizneset dhe rritur efikasitetin e tregtisë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Bankës Botërore, Xiaoqing Yu, falënderoi për bashkëpunimin dhe shprehu optimizëm për zbatimin në kohë të projekteve, duke riafirmuar angazhimin për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen.

Këto marrëveshje konsiderohen një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të ekonomisë dhe përshpejtimit të integrimit ekonomik të Kosovës në rajon dhe më gjerë.