Çmimet në rritje të vazhdueshme, marsi solli valë të re shtrenjtimi
Foto: Laura Hasani

Çmimet në rritje të vazhdueshme, marsi solli valë të re shtrenjtimi

Ekonomia April 10, 2026 - 10:06

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit ka shënuar rritje gjatë muajit mars 2026, duke konfirmuar vazhdimin e trendit të shtrenjtimit të jetesës në vend.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni mujor në mars ka arritur në 1.5 për qind, krahasuar me muajin shkurt. Rritja është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i karburanteve dhe lubrifikantëve për pajisjet e transportit personal, që kanë shënuar rritje prej 25.8 për qind.

Po ashtu, çmimet janë rritur edhe te perimet me 3.7 për qind, pemët me 1.5 për qind dhe mishi me 0.3 për qind, duke kontribuuar së bashku me rreth 1.7 për qind në rritjen e indeksit.

Në anën tjetër, një ulje e lehtë është evidentuar te energjia elektrike me 3.7 për qind dhe te lëndët djegëse të ngurta me 2.2 për qind, duke ndikuar në ulje të indeksit me rreth 0.2 për qind.

Sa i përket krahasimit vjetor, inflacioni në mars 2026 ka arritur në 6.7 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Rritjet më të theksuara janë regjistruar te shërbimet që lidhen me transportin personal me 42.5 për qind, biletat e fluturimeve me 38.4 për qind, si dhe furnizimi me ujë dhe shërbimet e banimit me 31.9 për qind.

Rritje të konsiderueshme janë evidentuar edhe tek energjia elektrike dhe karburantet me nga 17.4 për qind, lëndët djegëse me 15.6 për qind dhe pushimet e organizuara me 13.2 për qind.

Ndërkohë, produktet ushqimore kanë vazhduar të kenë ndikim në rritjen e përgjithshme të çmimeve, duke përfshirë pemët me 13.1 për qind, mishin me 12.4 për qind, si dhe kafenë, çajin dhe kakaon me 7.8 për qind.

Rritje janë shënuar edhe në shërbimet hoteliere, kujdesin personal, shërbimet shëndetësore dhe mallrat për mirëmbajtjen e ekonomisë familjare.

Të dhënat tregojnë se presionet inflacioniste mbeten të pranishme në sektorë të ndryshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës për qytetarët.