Azemi: Pa paga 600 euro deri në korrik, punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik do të largohen kolektivisht nga puna
Foto: Laura Hasani

Azemi: Pa paga 600 euro deri në korrik, punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik do të largohen kolektivisht nga puna

Ekonomia April 07, 2026 - 14:41

Kryetari i SPSPK-së, Jusuf Azemi, ka bërë të ditur se më 1 maj do të organizohet protestë për mosrealizimin e kërkesave të punëtorëve të sektorit privat, si nga Qeveria aktuale, ashtu edhe nga qeveritë e kaluara.

Ai në një konferencë për media tha se është marrë vendim unanim që, nëse deri në muajin korrik nuk realizohet rritja e pagave në 600 euro për punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik që financohen nga Komuna e Prishtinës, ata do të largohen kolektivisht nga vendet e punës, pasi sipas tij tashmë kanë gjetur alternativa me paga më të larta.

“Kemi biseduar lidhur me pagën e 13-të, është biseduar për pakon që është paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës, gjegjësisht ministri Hekuran Murati, dhe kemi biseduar për organizimin e protestës për 1 maj që do të mbahet. Sa i përket rritjes të pagës deri në 600 euro, punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik të cilët financohen nga komuna e Prishtinës, është marrë vendim unanim nëse pagat e tyre nuk janë me kontrata të kontraktuara 600 euro, këta punëtorë në mënyrë, po themi kështu, kolektive do t’i lëshojnë vendet e tyre të punës sepse kanë gjet vende me një shumë më të madhe sesa këtë që e kanë. Domethënë ka qenë një vendim unanim dhe unë thërras komunën e Prishtinës që t’i trajtojë këta punëtorë, ta thërrasë përfaqësuesin sindikal dhe ta arrijmë deri te, sepse nëse një kontratë që do të nënshkruhet me 15 maj për këta punëtorë, ajo kontratë nuk po nënshkruhet për pesë-gjashtë muaj, ajo kontratë nënshkruhet së paku gati për tri vite dhe paramendojeni ju inflacionin e pagës 600 euro sa do të mbetet mbas tri viteve”, tha ai.

Ai shtoi se paga e 13-të mbetet një nga kërkesat kryesore të punëtorëve të sektorit privat, duke e cilësuar mungesën e saj si diskriminim.

“Sa i përket çështjes të pagës 13-të, ne kemi thënë dhe sot punëtorët e shprehën që paga e 13-të është një diskriminim që i është bërë punëtorëve të sektorit privat të Kosovës dhe ne nuk heqim dorë dhe ne mendojmë që ende qeveria ka kohë që pagën e 13-të duhet ta ndajë për arsye sepse është marrë po nga i njëjti buxhet ku të gjithë kemi qasje: ka qasje punëtori i sektorit publik, ka qasje punëtori i sektorit privat. Këtë buxhet që e kemi që janë ndarë këto mjete, trefishi i atij buxheti është edhe mbushet nga punëtorët e sektorit privat. Dihet që pagat tona janë shumë më të vogla, dihet që ne punojmë shumë punë më të rëndë, ta nxëmë edhe nga kolegët që i kemi për shembull këtu nëpër spitale, nëpër qendrat mjekësore familjare. Këta përpos që punojnë punë të rënda, janë edhe jeta e tyre është e rrezikshme”, tha ai.

“Ju e dini që pakoja e luftimit të inflacionit, gjegjësisht pakoja 2.0, Qeveria e Kosovës ka deklaruar se do të jenë rreth 200 milionë euro që do të ndahen për punëtorët e sektorit privat të Kosovës, do të ndahen për kategori të tjera për të cilat ne normal që nuk duam të flasim. Andaj ne e kemi njoftuar dhe njoftojmë Ministrinë e Financave sepse ne jemi njerëzit më profesionistë që ta njohim gjendjen e punëtorëve të sektorit privat në Kosovë dhe nëse ata duan bashkëpunim ne na kanë në dispozicion. Nëse jo, kudo që ne shohim vërejtje, normal që ne do të flasim dhe do të kërkojmë që ajo të rigjenerohet”, tha Azemi.