BSPK-ja mirëpret pagën e 13-të, kërkon urgjent themelimin e Këshillit Ekonomiko-Social
Foto: Laura Hasani

BSPK-ja mirëpret pagën e 13-të, kërkon urgjent themelimin e Këshillit Ekonomiko-Social

Ekonomia April 07, 2026 - 08:04

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, ka mirëpritur shpërndarjen e pagës së 13-të për sektorin publik, duke thënë se kjo do të ndihmojë pasi vendi nuk është në gjendje të mirë ekonomike.

Hykolli në një intervistë për Ekonominë Online kërkoi edhe themelimin e Këshillit Ekonomiko-Social.

Ndërsa, kërkoi që të diskutohet edhe vlera e koeficientit.

“Po unë po them se çdo ndarje e pagës së 13-të ose edhe një tjetër 13-të kishte qenë e mirë sepse gjendja që e kemi sot, domethënë është shumë e nevojshme që të punësuarit të kenë një begati më të madhe nga ana financiare. Unë gjithmonë po them se ne sa më shpejt duhet të ulemi edhe të negociojmë vlerën e koeficientit sepse vlera e koeficientit është shumë e rëndësishme ku sado kudo mund të bëjmë rritje të pagave. Ndërsa këto që janë pagat e 13-ta janë të mirëseardhura për momentin që ne po jetojmë edhe për krizën që e ka kapluar domethënë vendin tonë”, tha ai.

Hykolli theksoi se marrëveshja e përgjithshme kolektive do të ndihmonte edhe sektorin privat.

Sipas tij, gjendja në sektorin privat nuk është e mirë.

“Patjetër, ne po jemi të interesuar që sa më shpejt të bëjmë marrëveshjen e përgjithshme kolektive sepse paga e 13-të gjithmonë hyn në marrëveshjen e përgjithshme kolektive, e cila marrëveshje do të ndihmonte shumë edhe sektorin privat kur e dimë gjendjen edhe të sektorit privat që është shumë, shumë keq edhe gjendja atyre financiare është shumë, shumë jo e mirë. Andaj, domethënë ne po presim sa më shpejt që të bëhet Këshilli Ekonomiko-Social që është në proces, të ulemi, të diskutojmë, po ajo që bëj thirrje është që të ulemi sa më shpejt sepse nuk ka kohë domethënë të presim sepse gjendja ekonomike në Kosovë nuk është mirë fare”, thotë ai.

Ai tha se duhet të themelohet Këshilli Ekonomiko-Social.

“Të bëhet Këshilli Ekonomiko-Social menjëherë edhe të bëhet marrëveshja e përgjithshme kolektive ku edhe punëdhënësi aty kishte me mund me mbështet në atë kuptimin që në rrogën e 13-të mos të paguajë tatime e gjëra të tjera, po njëfarë forme të mbështetë të punësuarin në Kosovë që do të dilte edhe mirë kjo farë situate për arsye se domethënë të gjithë punonjësit do të shkonin shumë më dëshirë në punë nëse marrin rrogën e 13-të por edhe benefitet e tjera që për momentin në Kosovë janë shumë të nevojshme”, shtoi tutje Hykolli.

Paga e 13-të për sektorin publik është shpërndarë më 31 mars.

Ndërkaq në mbledhjen e Qeverisë, më 30 mars, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, kanë dhënë detaje se kujt do t’u ndahet kjo pagë.

“Ky vendim është një shprehje konkrete e mirënjohjes për kontributin e tyre [punëtorëve të sektorit publik] në funksionimin e institucioneve dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Siç kemi premtuar, po e realizojmë këtë zotim duke dëshmuar se përgjegjësia ndaj punëtorëve përkthehet në veprime konkrete. Pagesa e 13-të synon të mbështesë mirëqenien e familjeve të tyre dhe të lehtësojë barrën financiare”, tha Kurti.

Hekuran Murati, ministri i Financave tha se kjo pagë do t’u ndahet të gjithë personave që kanë së paku 12 muaj të plotë në sektorin publik.

“Kemi hasur në raste kur ka situata që nuk i kanë përmbushur të gjithë 12 muajt. Për të qenë sa më korrekt, jemi dakorduar me Thesarin dhe kemi siguruar fondet e mjaftueshme që për këta persona që nuk i kanë të përmbushur 12 muaj të plotë, të ipet pjesa e pjesshme. Pra, për aq muaj sa kanë qenë të angazhuar në këta 12 muajt e fundit, proporcionalisht, u takon edhe një pjesë e pagës së 13-të”, ka thënë ministri Murati.

Ai ka shtuar se janë përkujdesur edhe për gratë që kanë qenë në pushim të lehonisë në këtë periudhë 12-mujore.

Muajt e kaluar në pushim të lehonisë, sipas tij, do t’u njihen sikurse muajt që kanë punuar në orar të plotë, në mënyrë që edhe ato ta marrin pagën e 13-të të plotë.