“Dizelin e blejmë 1.86€, e shesim 1.86€”: Naftëtarët paralajmërojnë protesta kundër vendimit të Qeverisë
Sot çmimet maksimale të lejuara janë: Nafta (dizel) deri në 1.86 euro/litër, kurse benzina 1.49 euro/litër.
Kryetari i Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka paralajmëruar protesta pas vendimit të Qeveria e Kosovës për vendosjen e çmimeve maksimale të derivateve.
Sipas tij, ky vendim po i dëmton seriozisht bizneset, edhe pse operatorët janë duke e respektuar atë.
“Është vendim i gabuar dhe dëmton bizneset, disa pika mund të bankrotojnë. Askund në botë nuk ndodh që të blihet dizeli me 1.86 euro dhe të shitet po me atë çmim”, deklaroi Berjani, duke shtuar se nëse nuk ka reflektim nga institucionet, do të pasojnë masa të tjera, përfshirë protestat.
Aktualisht, sipas vendimit të Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, çmimet maksimale të lejuara për 6 prill janë:
Nafta (dizel): deri në 1.86 euro për litër
Benzina: deri në 1.49 euro për litër
Ministria ka bërë të ditur se këto çmime bazohen në analizat e vazhdueshme të tregut, duke përfshirë të dhënat e importit dhe lëvizjet në tregjet ndërkombëtare. Sipas saj, çdo ditë para orës 10:00 do të publikohet çmimi maksimal i lejuar, i bazuar në mesataret e importeve. /EO