Maqedonia ul akcizën e naftës për 7 centë, ndërsa të benzinës për 4 centë
Në seancën e së dielës, Maqedonia e Veriut miratoi uljen e akcizës për derivatet e naftës dhe benzinës. Për naftën, akciza dhe TVSH-ja u ulën për 7 centë, ndërkaq për benzinën për 4 centë për litër.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në seancën e së dielës, vendosi për uljen e akcizës së derivateve të naftës dhe për zgjatjen e masës për uljen e TVSH-së. Gjegjësisht, akciza e dizelit ulet për 7 centë, ndërsa e benzinës për 4 centë në litër.
“Meqenëse kanë kaluar dy javë që kur norma e TVSH-së u ul nga 18 në 10 përqind, dua të informoj publikun se po e zgjasim masën deri në fund të krizës. Në të njëjtën kohë kemi marrë vendim për uljen e akcizës së naftës me 4 denarë, dhe për benzinën 2 denarë për litër, gjë që do të ndihet në mënyrë dramatike në çmimet e derivateve”, deklaroi Hristian Mickovski – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Gjithashtu bëri me dije se kanë arritur marrëveshje me Rafinerinë OKTA, që ulja e derivateve të vazhdojë deri në fund të prillit.
Opozita vlerëson se masat e Qeverisë janë të vonuara dhe joefikase.
“Masat janë të vonuara, të pamjaftueshme dhe nuk do të kenë absolutisht asnjë efekt, sepse spiralja e rritjes së çmimeve ka filluar tashmë”, theksoi Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.
Ndërkohë, Ministria e Energjetikës po shqyrton rekomandimet për kursim, të cilat së fundmi i ka prezantuar Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë. /rtk