Për dy vjet komuna e Prishtinës ka lidhur 16 kontrata të negociuara
Foto: Laura Hasani

Për dy vjet komuna e Prishtinës ka lidhur 16 kontrata të negociuara

Ekonomia April 05, 2026 - 20:43

Një seri kontratash me procedura të negociuara janë lidhur ndër vite nga Komuna e Prishtinës.

Ligji për Prokurimin Publik e përcakton se procedurat e negociuara përdoren në raste të jashtëzakonshme, kjo pasi vlerësohet se ato shmangin konkurrencën dhe lënë hapësirë për favorizim të kompanive.

Pavarësisht kësaj, në 2024-n Komuna e Prishtinës lidhi 11 kontrata të negociuara me vlerë rreth 1 milion e 559 mijë euro.

Një vit pas, në 2025-n u lidhën 5 kontrata të negociuara, por vlera e të cilave shkon në 2.8 milionë. Komuna arsyetohet se kontratat janë lidhur për arsye objektive dhe të detyrueshme si dhe për arsye të emergjencave.

“Gjatë 2024 Komuna e Prishtinës ka lidhur 11 kontrata të negociuara me vlerë rreth 1,559,000 euro ndërsa gjatë 2025 ka lidhur 5 kontrata të negociuara me vlerë rreth 2,800,000 euro. Këto kontrata janë lidhur për arsyet si në vijim: për arsye objektive dhe të detyrueshme teknike ose artistike, si dhe për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues, autoriteti i tillë kontraktues nuk mund ta japë kohën e kërkuar për ushtrimin e cilësdo procedurë tjetër që parashtrohet në këtë ligj. Të gjitha procedurat për lidhjen e këtyre kontratave kanë qenë në përputhje me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik  duke përfshirë këtu edhe nenin 35 të LPP” thuhet në përgjigjen e Komunës.

Mirëpo, duket se jo të gjitha kontratat e lidhura gjatë kësaj kohe kanë qenë raste emergjente, të njëjtat do të mund të planifikoheshin më parë.

Kjo pasi një pjesë e kontratave ishin për furnizim me ushqim për qentë endacakë, për sigurim të objekteve, pastrim, menaxhim të mbeturinave, dezinfektim hapësinor dhe dekorime festive.

Përmes procedurave të negociuara Komuna e Prishtinës gjatë këtij viti ka kontraktuar dy operatorë privat për mbeturinat. Kontrata e dhënë kap vlerën e 950 mijë eurove. Paraprakisht komuna ka anuluar tenderin e rregullt ku do të mund të aplikonte secili operator që plotësonte kriteret e nevojshme.

Njohës të prokurimit potencojnë se kontratat e negociuara lënë më shumë hapësirë për abuzime dhe favorizime prandaj sipas tyre nuk preferohen.

“Si procedurë rekomandohet që të përdoret shumë rrallë dhe vetëm me arsyetime të forta të cilat kanë bazë ligjore. Përdorimi i saj duhet të minimizohet nga komunat dhe mbetet për situata të jashtëzakonshme pasi e kufizon mundësin që institucionet të sigurojnë ofertën më të favorshme, pra të sigurojnë çmimin më të mirë “, ka thënë Valmir Ilazi, njohës i prokurimit.

Komuna e Prishtinës pati zhvilluar procedurë të negociuar edhe për shërbimin që lidhet me ofrimin e makinerisë shtesë për grumbullimin, transportimin dhe deponimin e mbeturinave me vlerë 1 milionë euro.

Megjithëse, sipas Auditorit të Përgjithshëm për të njëjtën nuk janë plotësuar kushtet ligjore./rtk