Instalimi i pajisjeve matëse të Termokosit ka ulur çmimin e faturave
Foto: Laura Hasani

Instalimi i pajisjeve matëse të Termokosit ka ulur çmimin e faturave

Ekonomia April 04, 2026 - 22:06

Pavarësisht se Zyra e Rregullatorit të Energjisë, për sezonin ngrohës 2025/2026, ka caktuar struktura të reja tarifore për Termokosin, të cilat kanë në fokus faturimin e bazuar në konsumin real mbi bazë të matjes, tarifat e ngrohtores së kryeqytetit vazhdojnë të ngjallin shqetësime për rritje.

Ndërkohë, ankesat theksojnë faturime të larta.

"Kërkova për çka jam dëmtuar të përmirësohet ai gabim. Mu ka faturuar 1 muaj shumë ma shumë se sa është realja, po ashtu kërkova metrat katrorë me i qitë me reale, jo kuturu", ka thënë qytetari.

Ky qytetar thotë se lidhur me këtë ka bërë edhe një ankesë.

"E bëra një ankesë, sepse këta nuk janë në gjendje, me bo faturimin faktik edhe mandej këqyrin me disa fatura paushallë me i mbylle ato faturat tjerat sa janë kanë reale".

Përveç faturimeve të larta, ka edhe qytetarë që i drejtohen Termokosit me ankesa se muaji mars u është faturuar dyfish krahasuar me muajin shkurt, me shpresën se bëhet fjalë për ndonjë gabim teknik.

“U nisa për një ankesë, të njëjtin harxhim dje pagova 60 euro, a mesatarja ka qenë 30, e njëjta banesë të njëjtin shfrytëzim që dy radiatorë, nuk ka nevojë mu lëshuar hiç”, tha qytetari tjetër.

Instalimi i pajisjeve matëse në nivel apartamenti në ndërtesat kolektive të Termokosit, si pjesë e projektit “Prishtina Heat Save”, pritej që 60 për qind të faturave të rezultonin më të ulëta, duke nxitur efikasitetin e energjisë. Bazuar në analizat e Termokosit, 60 për qind e mbi 20 mijë konsumatorëve, tashmë kanë rezultuar në ulje të çmimit të faturave.

Përgjatë tre muajve të fundit të vitit të kaluar, Termokosi nënvizon se janë faturuar rreth 406 mijë euro më pak se në periudhën e njëjtë krahasuese, kur faturimi është realizuar sipas metodës të bazuar në sipërfaqen ngrohëse banesore. Kjo nënkupton se metoda e re e faturimit ka ndikuar në ulje të shpenzimeve të qytetarëve për ngrohje./rtk