Kalon afati për deklarimin e pasurisë
Foto: Laura Hasani

Kalon afati për deklarimin e pasurisë

Ekonomia April 02, 2026 - 20:48

Ka përfunduar afati ligjor për deklarimin e pasurisë për zyrtarët publikë në Kosovë. Sipas Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, shumica e zyrtarëve e kanë përmbushur obligimin, ndërsa ata që nuk e respektuan afatin do të përballen me gjoba.

Afati për deklarimin e pasurisë për mbi dhjetë mijë zyrtarë publikë në Kosovë ka përfunduar në mesnatën e së mërkurës. Sipas drejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, nga 10 mijë e 350 zyrtarë që kishin obligim ligjor, rreth 10 mijë e 200 e kanë përmbushur atë në kohë, ndërsa një numër i vogël mbetet ende në proces verifikimi.

Ai paralajmëron se rreth 140 zyrtarë që nuk e kanë respektuar afatin do të përballen me masa ndëshkuese.

“Nga 10 mijë e 350 zyrtarë që e kanë pasur obligim deklarimin e pasurisë, 10 mijë e 200 e kanë përfunduar, jemi në 150tëshin e fundit duke kryer verifikimin. Të gjithë këta, rreth 140 po besoj që në fund do të përfundojnë me një gjobë sepse tashmë pason faza e radhës, të gjithë ata që janë vonuar, do ta pranojnë një gjobë nga Agjencia një shumë prej 30 përqind të pagës së tyre mujore, apo deri në 500 euro”, tha Buleshkaj.

Sipas Buleshkjat, pjesa më e madhe e zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë në kohë vijnë nga Policia e Kosovës.

"Edhe këtë vit, ngjashëm me vitin e kaluar, më shumë se 1/3 ta e tyre vijnë nga policia e Kosovës, polic të Kosovës të cilët janë të ngarkuar me detyra hetimore. Ndoshta edhe për shkak të numrit më të madh të tyre si tërësi nëse nuk gabojmë janë rreth 3 mijë polic që kryejnë detyra hetimore dhe janë subjekte deklaruese. Tashmë i kemi mbi 50 të cilët nuk e kanë kryer këtë obligim me kohë. Profesionet tjera që janë me radhë kemi nga ATK-ja që janë në numër rreth 10, kemi nga Universitetet Publike që janë po ashtu mbi 10, kemi nga Dogana e Kosovës që është 7-8 dhe gjitha institucionet tjera kanë numër më të vogël. por numri më i madh prapë edhe këtë vije nga Policia e Kosovës", tha ai.

Një vit më parë, më pak se 80 raste për mosdeklarim të pasurisë u dërguan në prokurori, por disa u hodhën poshtë pas vendimit të Gjykatës Supreme që ngriti paqartësi ligjore. Sipas Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, tani çdo rast i mosdeklarimit do të trajtohet sipas ligjit. /rtk