AKB: Diskriminim i hapur, e papranueshme paga e 13-të vetëm për sektorin publik
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e pagës së 13-të vetëm për sektorin publik e konsideron si diskriminues dhe të padrejtë ndaj sektorit privat.
Shahini, përmes një postimi në Facebook, u shpreh se ky vendim krijon ndarje të rrezikshme në shoqëri, duke favorizuar një kategori në kurriz të tjetrës, ndonëse të gjithë qytetarët dhe bizneset kontribuojnë në mbushjen e buxhetit të shtetit.
“Sektori privat, i cili është bartësi kryesor i zhvillimit ekonomik, punëson shumicën e qytetarëve dhe siguron të hyrat kryesore për shtetin, po injorohet në mënyrë të pajustifikueshme. AKB-ja vlerëson se paga e 13-të për sektorin publik nuk është meritë, por një shpërblim selektiv dhe politik, i cili cenon parimet e barazisë dhe konkurrencës së ndershme”, ka thënë Shahini.
Shahini kërkon nga Qeveria të ndalë këtë qasje, siç thotë ai, diskriminuese ndaj sektorit privat, të subvencionojë edhe punëtorët e sektorit privat dhe kategoritë sociale dhe të garantojë barazi për të gjithë kontribuuesit. Në të kundërtën, sipas tij, vendime të tilla do të dëmtojnë seriozisht klimën e biznesit dhe besimin në institucionet shtetërore.