Shala: Vendimi i Kushtetueses legjitimon politikën e Qeverisë në dëm të bizneseve
Foto: Laura Hasani

Shala: Vendimi i Kushtetueses legjitimon politikën e Qeverisë në dëm të bizneseve

Ekonomia April 01, 2026 - 08:44

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka hedhur poshtë kërkesën e saj lidhur me masën e përkohshme në procesin e liberalizimit të tregut të energjisë.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka theksuar se kërkesa e tyre kishte për qëllim shtyrjen e zbatimit të këtij procesi deri në përgatitjen e kushteve të nevojshme, duke akuzuar edhe qeverinë Kurti për ndërhyrje.

Ai sqaroi edhe qëndrimin e PDK-së lidhur me kërkesën për masë të përkohshme, duke shtuar se vendimet e Kushtetueses duhet të zbatohen gjithmonë.

“Kërkesa e Partisë Demokratike ka qenë për çështjen e masës së përkohshme. Duhet ta sqarojmë këtë dhe pozicioni jonë ka qenë shumë i drejtë, shumë i arsyeshëm, që është dashur një masë e përkohshme derisa të përgatiten kushtet, të informohen të gjitha bizneset dhe të fillojë një proces normal, që do duhej me fillu, për të cilin realisht tashmë është vërtetuar që nuk ka qenë mirë i përgatitur procesi i liberalizimit. Sidoqoftë, vendimi është vendim dhe ne nuk kemi asnjë koment tjetër rreth vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ato duhet të zbatohen, si gjithmonë për Partinë Demokratike”, thotë ai.

E, duke folur për këtë, Shala thotë se pala tjetër në këtë rast ZRRE-ja është e kënaqur me vendimin, pasi që siç thotë kjo e ka legjitimuar politikën e tyre.

“Normalisht që pala është e kënaqur sepse kjo e ka legjitimuar politikën e tyre në dëm të bizneseve dhe në dëm realisht të transparencës dhe metodologjisë së punës në hapjen e tregut”, u shpreh ai.

Deputeti Shala deklaron se ZRRE-ja është aset direkt i politikës së qeverisë "Kurti".

“Sigurisht ne jemi pjesë e proceseve politike dhe do të shohim veprimet e përgjithshme se si do të rrjedhë situata. Mbi të gjitha për ne është tepër me interes që sektori energjetik i vendit të kalojë në normalitet, sektori energjetik i vendit të kalojë në atë që do të duhej të ishte, sidomos ZRRE-ja të jetë e pavarur, e cila fatkeqësisht dhe mjerisht për vendin dhe ekonominë tashmë ka kaluar në aset direkt të politikës ditore të qeverisë Kurti dhe në këtë relacion Partia Demokratike shqetësimin e ngre pikërisht për faktin e ndërhyrjeve politike në rregullator”, tha tutje ai për Ekonomia Online.

Shala përmendi edhe sektorët në të cilët sipas tij qeveria Kurti ka gisht.

“Saktësisht e kemi fjalën te çështja e liberalizimit, te çështja e ngritjes së çmimit, te çështja e mosmonitorimit adekuat dhe profesional tashmë të aferës së madhe e cila po rrjedh për ditë e më shumë ,të çështjes së njësorëve të energjisë, të çështjes së tregtisë së energjisë, të çështjes së planifikimit, të mostransparencës e kështu me radhë. Vetëm skandali i fundit në çështjen e njësorëve dhe skandali tjetër që tashmë u desh të kemi një qëndrim për çështjen e planifikuar për ngritjen e çmimit dhe lojës politike që e bën për momente të caktuara, do të thotë ne i kemi dyshimet tona që ata janë kthyer në mekanizëm krejtësisht politik”, shtoi Shala.

Ndërkaq Zyra e Rregullatorit për Energji përmes një komunikate ka bërë të ditur se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur të papranueshme kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për çështjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

Zyra e Rregullatorit për Energji njoftoi se ky vendim konfirmon ligjshmërinë e vendimeve të saj dhe procesit të liberalizimit të tregut të energjisë.

Sipas ZRRE-së, ky proces synon krijimin e një tregu konkurrues, transparent dhe efikas në interes të konsumatorëve.