Qeveria miraton projektligjin për banimin social dhe të përballueshëm
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për banimin social dhe të përballueshëm, duke e cilësuar atë si një ndër zotimet kryesore të ekzekutivit.
Sipas saj, ky projektligj synon të krijojë mekanizma konkretë për sigurimin e banimit për qytetarët në nevojë, përmes programeve të strukturuara dhe kritereve të qarta për përfitim.
“Sapo miratuam në Qeveri projektligjin për banimin social dhe të përballueshëm, një nga zotimet tona kryesore për të garantuar banim të dinjitetshëm për qytetarët tanë”, ka shkruar Pacolli.
Ajo ka bërë të ditur se projektligji parasheh krijimin e programeve të banimit, duke përcaktuar rregullat dhe procedurat për zbatimin dhe shpërndarjen e banesave, si dhe kriteret për përfitimin e tyre nga familjet dhe individët në nevojë.
“Projektligji parasheh krijimin e programeve të banimit, përmes përcaktimit të rregullave dhe procedurave për zbatimin dhe shpërndarjen e banesave, si dhe përcaktimin e kritereve të përfitimit për familjet dhe individët në nevojë”, ka theksuar ajo.
Ministrja Pacolli ka shtuar se miratimi i këtij projektligji përbën përmbushje të një premtimi institucional në mbështetje të kategorive të ndryshme sociale, me theks të veçantë te çiftet e reja.
“Me realizimin e këtij projekti po e përmbushim edhe një zotim tonin në mbështetje për çiftet e reja dhe familjet në nevojë në vendin tonë”, ka deklaruar Pacolli.