Qeveria miraton pagën e 13-të për sektorin publik
Foto: Laura Hasani

Qeveria miraton pagën e 13-të për sektorin publik

Ekonomia March 30, 2026 - 09:52

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për dhënien e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit që marrin paga nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se ky vendim vlen për të gjithë zyrtarët publikë që kanë përmbushur kriteret e përcaktuara.

“Po e miratojmë pagën e 13 për të gjithë punonjësit në sektorin publik që marrin pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës. Pra bëhet fjalë për zyrtarët publikë. Sa i përket pagës së 13-të, kanë qenë disa raste pra kur është shikuar se si të zbatohet në mënyrën më të mirë të mundshme, është rasti i të gjithë atyre personave që tashmë kanë 12 muaj të plotë. Pra në sektorin publik dhe marrin pagën e 13-të të plotë, e cila është e barabartë pra kur të llogaritet, është e barabartë me ë vlerën e koeficientit të shumëzuar me njësinë e koeficienteve që ka pozita përkatëse për personin i cili është në listën e pagave në muajin mars, pra në këtë muaj”, tha ai.

“Njëkohësisht jemi përkujdesur që për gratë lehona të cilat janë në pushim të lehonisë ose kanë qenë në pushim të lehonisë përgjatë kësaj periudhe 12-mujore, muajt e kaluar në pushimin e lehonisë pra të njihen sikurse muaj që të kenë punuar me orar të plotë, në mënyrë që të mos përjashtohen apo mos të kalojnë te paga e pjesshme, por ta marrin pagën e 13-të të plotë”, tha ai.