ASK: Ekonomia e Kosovës u rrit 3.85% në tremujorin e katërt të vitit 2025

ASK: Ekonomia e Kosovës u rrit 3.85% në tremujorin e katërt të vitit 2025

Ekonomia March 13, 2026 - 16:18

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për Bruto Produktin Vendor (BPV) për tremujorin e katërt të vitit 2025, sipas aktiviteteve ekonomike dhe qasjes së shpenzimeve.

Sipas ASK-së, BPV-ja në TM4 2025 ka shënuar rritje reale prej 3.85%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Aktivitetet ekonomike që kanë shënuar rritje gjatë këtij tremujori përfshijnë tregtinë me shumicë dhe pakicë, transportin dhe magazinimin, si dhe aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor me 5.71%. Rritje është regjistruar edhe në sektorin financiar dhe të sigurimeve me 5.16%, në informacion dhe komunikim me 4.98%, si dhe në art, argëtim dhe aktivitete të tjera shërbyese me 4.95%, transmeton Zeri.info.

Po ashtu, rritje kanë shënuar aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike me 4.64%, industria përpunuese me 4.59%, industria nxjerrëse dhe energjia me 4.54%, bujqësia me 4.12%, si dhe ndërtimtaria me 3.90%.

Sipas metodës së shpenzimeve, komponentët që kanë kontribuar në rritje janë eksporti i mallrave dhe shërbimeve me 11.49%, formimi i bruto kapitalit me 3.45%, importi i mallrave dhe shërbimeve me 1.95%, si dhe shpenzimet e konsumit final të ekonomive familjare me 0.62%.

Ndërkohë, rënie është regjistruar te shpenzimet e konsumit final të Qeverisë, të cilat kanë shënuar ulje prej 1.03% në këtë periudhë.

ASK bën të ditur se publikimi përfshin të dhënat e BPV-së sipas aktiviteteve ekonomike dhe qasjes së shpenzimeve, me çmime aktuale dhe me çmime të vitit paraprak për tremujorin e katërt të vitit 2025./Zëri