Kompania e mirëmbajtjes në UP nuk zbaton vendimin e Qeverisë, punëtorët nën pagën minimale
Foto: Laura Hasani

Kompania e mirëmbajtjes në UP nuk zbaton vendimin e Qeverisë, punëtorët nën pagën minimale

Ekonomia March 12, 2026 - 08:38

Qe 23 vite merret me mirëmbajtjen e hapësirave të fakultetit të edukimit fizik dhe të sportit.

Por për punën që e bënë Avdyl Kuleta paguhet vetëm 300 euro.

Pagë kjo e cila është nën pagën minimale e cila ka hyrë në fuqi nga janari 2026, e që parashihet të jetë 425 euro.

“Qashtu na kanë thënë por ne nuk i kemi marrë as 350 euro që u bë ligji më herë për pagë minimale, prej vitit 2024 në shtator që ka hy në fuqi ne nuk i kemi marrë kurrë”,ka thënë Kuleta.

Për këtë ata i janë drejtuar edhe institucioneve të drejtësisë që të marrin pagat të cilat kompania e kontraktuar nga Universiteti i Prishtinës nuk ia u dha.

“Me pas shumë anëtare të familjes kjo pagë  nuk të mjafton 300 euro për një familje. Tash e kemi bërë një ankesë  nga 36 punëtorë sa jemi. Kemi kërkuar që më na transferua pagat prej 2024 deri tash”, ka thënë tutje Kuleta.

Pavarësisht kësaj, kjo nuk e ka demotivuar aspak 60 vjeçarin që të kryejë punën e tij

“Ne punën e kryejmë, se ne kemi pranuar që për këtë punë me punu, unë si me pas rrogën 500 euro punën e bëjë njësoj. Por me pas rrogën më të lartë kish qenë më mirë, për çdo punëtore, pasi krahasuar me çmimet rroga është e vogël”, theksoj Kuleta.

Por jo vetëm Kuleta, por edhe një numër i madh i punëtoreve në vend ende marrin pagë nën pagën minimale.

“Në 90% të rasteve ajo që e ka marrë këtë vendim nuk është duke e zbatuar sepse në 95% të rasteve  janë kompani që kryejnë shërbime për institucione, për shembull për Ministrin e Arsimit, për atë të Punës, të cilat këto nuk e kanë kryer obligimin ndaj kompanive të cilat kanë për të paguar punëtorët. Kryeinspektori i punës ka kërkuar listën e kompanive të cilat nuk janë duke respektuar vendimin e qeverisë së Kosovës e ne sot veç po ja dërgojmë”, u shpreh Azemi..

Për këtë se fundmi është aktivizuar edhe Inspektorati Qendror i Punës , i cili është në kuadër të Ministrisë për Punë.

“Deri më tani IQP ka pranuar 12 informata për operatorët me pretendimin se nuk janë duke e zbatuar vendimin për pagën minimale, dhe në të gjitha rastet ku IQP konstaton se nuk është duke u zbatuar Vendimi për pagën minimale do të ndërmerren veprimet e parapara ligjore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së punës.

Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që nga janari  paga minimale të jetë 425 euro bruto, kurse nga 1 korriku paga minimale pritet të bëhet 500 euro./teve1