Të rinjtë kosovarë në tregun global të teknologjisë informative
Energjia kreative e rinisë së Kosovës po vazhdon ta tërheqë vëmendjen e tregjeve ndërkombëtare.
Idetë e programerëve të rinj, bashkë me shkathtësitë e tyre në fushën e teknologjisë informative, jo vetëm që po i shërbejnë tregut kosovar, por edhe atij të jashtëm.
Vetëm gjatë vitit 2025, eksportet e shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit nga Kosova arritën në 398.2 milionë euro apo 14% më shumë krahasuar me 2024.
“Kryesore janë për sektorin privat që e ka bërë lidhjen nga këto vende të BE dhe Amerikës në Kosovë. Pastaj kostoja e ulët e shërbimeve tona. Edhe pse sektori i ICT ka shpërblimet më të mira në këtë fushë, ende janë më të vogla krahasuar me kolegët e tyre në Gjermani. E pastaj shkathtësia jonë që të mbledhim këtë dije ta arrijmë ta eksportojmë jashtë”, tha Blerim Rexha, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Kompjuterike.
Për potencialin e rinisë kosovare, më së shumti interes thuhet se kanë Gjermania e SHBA-ja.
“Në rend të parë shtetet gjermano-folëse dhe SHBA-të janë dy tregjet kryesore që atakojnë tregun e Kosovës. Kemi takime javore me kompani nga Gjermania që kërkojnë studentët tanë. Ne nuk mund të ju japim mjaftueshëm studentë sa ata kërkojnë”, tha Rexha.
Njohës të fushës thonë se kompanitë lokale duhet të punojnë më shumë që ta ruajnë kuadrin.
“Këtu janë disa faktorë, faktori i parë është mosha e re e rinisë kosovare, fuqia e tyre dhe angazhimi në fushën e teknologjisë e informacionit dhe pastaj edhe mundësitë tjera, sikurse që është njohja e gjuhës angleze dhe shkathtësitë e tjera që iu ndihmon për të qenë të konkurrueshëm në treg”, tha Blerton Abazi, njohës i fushës.
Teknologjia Informative është një nga fushat më dinamike të ekonomisë vendore.