Kusari: Nga nesër përcaktohet çmimi maksimal i derivateve
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se nga nesër do të hyjnë në fuqi çmimet e reja maksimale për derivatet e naftës në treg.
Sipas saj, bazuar në të dhënat e importit të ditës së sotme, çmimet e derivateve kanë shënuar rënie.
"Importi është realizuar me çmimin 1.40 euro për litër për naftën dhe 1.22 euro për litër për benzinën".
Duke u bazuar në vendimin në fuqi për marzhën e fitimit, ajo bëri të ditur se çmimi maksimal i lejuar në treg nga nesër nuk mund të jetë më i lartë se:
Nafta: 1.54 euro për litër
Benzina: 1.36 euro për litër
Kusari-Lila u bëri thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo parregullsi në tregun e derivateve përmes numrit pa pagesë 0800 11000.
“Falë bashkëpunimit tuaj, mund të sigurojmë një treg më të drejtë dhe transparent për të gjithë”, thuhet në njoftimin e saj.