Faza e dytë e liberalizimit të tregut të energjisë, nga 1 prilli bizneset kalojnë në treg të hapur
Foto: Laura Hasani

Faza e dytë e liberalizimit të tregut të energjisë, nga 1 prilli bizneset kalojnë në treg të hapur

Ekonomia March 04, 2026 - 10:28

Kompania KESCO, në rolin e Furnizuesit të Shërbimit Universal, ka njoftuar se nga 1 prilli 2026 do të hyjë në fuqi faza e dytë e daljes së konsumatorëve komercialë në tregun e hapur të energjisë elektrike, në përputhje me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe me kërkesë të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Sipas kornizës ligjore në fuqi, nga kjo datë nuk do të furnizohen më me tarifa të rregulluara në kuadër të shërbimit universal bizneset që kanë mbi 50 punonjës ose realizojnë qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro. Këto kompani do të jenë të obliguara të zgjedhin vetë furnizuesin e tyre të licencuar në tregun e hapur.

Bazuar në të dhënat zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës, një numër biznesesh nuk i plotësojnë më kriteret për të mbetur në skemën e furnizimit me tarifa të rregulluara. Për pasojë, KESCO nuk do të mund t’i furnizojë ato në kuadër të shërbimit universal pas 1 prillit 2026.

Bizneset e prekura duhet që deri në këtë datë të kenë përzgjedhur një furnizues të licencuar dhe të kenë nisur procedurën e ndërrimit të furnizuesit së paku 21 ditë pune para hyrjes në fuqi të kontratës së re. Lista e furnizuesve të licencuar është e publikuar në faqen zyrtare të ZRRE-së.

Në rast se një biznes nuk përzgjedh furnizues me kohë, nga 1 prilli 2026 do të furnizohet përkohësisht nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit për një periudhë deri në 60 ditë. Brenda këtij afati duhet të lidhet kontratë me një furnizues të licencuar, në të kundërtën, furnizimi me energji elektrike do të ndërpritet sipas legjislacionit në fuqi.

Ndërkohë, bizneset që janë vetëkonsumatorë (prosumatorë) njoftohen se nga kjo datë përfundon marrëveshja ekzistuese për vetë-konsum në kuadër të skemës me tarifa të rregulluara. Energjia e prodhuar dhe e injektuar në rrjet do të trajtohet sipas kushteve të kontratës me furnizuesin e ri të zgjedhur.

KESCO u bën thirrje bizneseve që të konfirmojnë pranë kompanisë numrin e punonjësve, qarkullimin vjetor dhe njësitë apo matësit në shfrytëzim, me qëllim të sigurimit të një tranzicioni të rregullt dhe trajtimi korrekt gjatë kalimit në tregun e hapur. /Zëri