DHTIK-ja shqetësohet për rritjen e çmimeve të karburanteve dhe kërkon masa të menjëhershme
Foto: Laura Hasani

DHTIK-ja shqetësohet për rritjen e çmimeve të karburanteve dhe kërkon masa të menjëhershme

Ekonomia March 03, 2026 - 13:16

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DHTIK) ka shprehur shqetësimin lidhur me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, të cilat po reflektohen në rritjen e çmimeve të derivateve të naftës në vend.

Sipas DHTIK-së, kjo situatë ka një ndikim të drejtpërdrejtë në transportin, prodhimin e produkteve ushqimore dhe shërbimeve bazë, duke goditur veçanërisht sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë. Rritja e vazhdueshme e çmimeve, thekson dhoma, do të rrisë kostot e prodhimit për bizneset vendase, do të ulë konkurrueshmërinë dhe potencialin për eksport, duke kontribuuar gjithashtu në rritjen e inflacionit.

DHTIK-ja u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse për ndërmarrjen e veprimeve konkrete dhe të menjëhershme, duke nisur nga një dialog i strukturuar dhe i vazhdueshëm me komunitetin e biznesit, për identifikimin e sfidave dhe gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta.

Mes propozimeve të DHTIK-së janë ulja ose pezullimi i përkohshëm i disa taksave për bizneset më të goditura nga rritja e çmimeve, si dhe rishikimi i barrës tatimore për produktet esenciale, me qëllim të zbutjes së ndikimit tek konsumatorët dhe mbështetjes së prodhimit dhe eksportit vendor.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka deklaruar se është e gatshme të ofrojë kontributin e saj për tejkalimin e situatës dhe sigurimin e stabilitetit ekonomik. /Zëri