SHBA vendos tarifë 10% për importin, goditet eksporti i Kosovës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur një paketë të re tarifash prej 10 për qind për importet e produkteve që synojnë tregun amerikan. Nga kjo situatë është prekur edhe Kosova. Ekspertët thonë se kjo tarifë do të vështirësojë zhvillimin e bizneseve prodhuese të vendit.
Rritja e tarifave amerikane ndaj mallrave të eksportuara nga Kosova ka shkaktuar shqetësim të madh te bizneset vendore.
Tarifat prej 10 për qind godasin veçanërisht produktet që shkojnë në SHBA, duke krijuar vështirësi për kompanitë dhe duke rrezikuar reputacionin e eksportuesve kosovarë, thotë për Radio Kosovën përfaqësuesi i bizneseve, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini.
“U godit prodhimtaria vendore e Kosovës. Kemi pasur disa produkte që i kemi eksportuar në SHBA, veçanërisht dyshekët, të cilët në një periudhë kanë arritur mbi 100 milionë euro në vit. Tash, kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në eksportet e Kosovës dhe ka krijuar një vështirësi të madhe për eksportin e prodhimeve tona”, tha Shahini.
Tarifat janë pjesë e politikës tregtare të SHBA-së për të mbrojtur prodhimet vendase dhe për të rregulluar deficitin tregtar.
Njohësi i ekonomisë, Lulzim Beqiri, duke folur për Radio Kosovën, thotë se kjo do të ndikojë në barrën financiare të funksionimit të kompanive.
“Ky vendim do të dëmtojë reputacionin e Kosovës dhe eksportet që bëhen në SHBA. Do të ndikojë shumë edhe në performancën financiare të kompanive që eksportojnë jashtë vendit. Për më tepër, kjo jep një imazh sfidues për kompanitë që kanë eksportuar, sepse nëse eksporton në SHBA, atëherë për në Evropë do të jetë më e lehtë për faktin se ekziston një imazh ekonomik jashtëzakonisht i mirë nga SHBA, gjë që do të reflektojë edhe më tej në situatën e eksportit, duke marrë parasysh edhe gjendjen ekonomike në vend”, theksoi Beqiri.
Raporti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) nënvizon se tarifat e importit të SHBA-së për vendet ku operon BERZH-i janë rritur nga 14.6 në 15 për qind, duke rritur presionin mbi eksportuesit, përfshirë edhe ata nga Kosova.
Produktet që Kosova eksporton në SHBA përfshijnë ushqime, lëngje, tekstil, dyshekë, por edhe prodhime nga druri dhe plastika.