Çmimet e prodhimit rriten prej 5,4%, energjia me mbi 20% më shtrenjtë në fund të vitit 2025
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Prodhimit (IÇP) për tremujorin e katërt (TM4) 2025, i cili tregon rritje të lehtë tremujore, por ngritje të ndjeshme në baza vjetore.
Sipas të dhënave zyrtare, indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimit u rrit për 0.1% në TM4 2025, krahasuar me TM3 2025. Ndërkaq, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak (TM4 2024) çmimet e prodhimit shënuan rritje mesatare prej 5,4%.
Rritje e lehtë tremujore
Në krahasimin tremujor, ngritjet më të theksuara u regjistruan në:
Prodhimin e letrës dhe produkteve prej letrës (+3.2%)
Prodhimin e makinerisë dhe pajisjeve (+2.3%)
Prodhimin e drurit dhe produkteve prej druri (+2.1%)
Shtypjen dhe riprodhimin e mediave të incizuara (+1.1%)
Xeherorët dhe guroret e tjera (+0.8%).
Rritje më të lehta pati edhe në energji elektrike, gaz, avull dhe furnizim me ajër të kondicionuar (+0.2%), si dhe në sektorë të tjerë industrialë.
Megjithatë, kjo ngritje u zbut nga ulja e çmimeve në disa sektorë, përfshirë prodhimin e metaleve (-3.7%), trajtimin e mbeturinave (-1.2%) dhe prodhimin e mobilieve (-0.3%).
Energjetika me rritjen më të madhe vjetore
Në baza vjetore, rritja prej 5.4% është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i energjisë elektrike, gazit, avullit dhe furnizimit me ajër të kondicionuar, që shënoi rritje prej 20.9% krahasuar me TM4 2024.
Rritje të konsiderueshme u evidentuan edhe në:
Prodhimin e mjeteve motorike, rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove (+9.0%)
Prodhimin e veshjeve (+8.6%)
Produktet dhe preparatet farmaceutike (+8.1%)
Makinerinë dhe pajisjet (+7.6%)
Prodhimin e letrës (+6.2%).
Nga ana tjetër, ulje vjetore u regjistrua te prodhimi i metaleve (-11.6%), trajtimi dhe asgjësimi i mbeturinave (-4.4%), si dhe prodhimi i mobilieve (-0.8%).
Të dhënat e ASK-së tregojnë se trendi i çmimeve të prodhimit në fund të vitit 2025 reflekton presione të vazhdueshme në sektorin energjetik dhe në industri të caktuara përpunuese, ndërsa disa sektorë të rëndësishëm industrialë kanë shënuar rënie. /Zëri