AKB: Kredia e shtrenjtë po varfëron qytetarët
Aleanca Kosovare e Bizneseve ka shprehur shqetësim lidhur me normat e larta të interesit që po aplikojnë institucionet mikrofinanciare në Kosovë.
Sipas raportit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, kreditë për familjet mund të arrijnë deri në 22%, ndërsa për bujqit norma e interesit shkon mbi 16%.
AKB-ja thekson se këto norma nuk përbëjnë ndihmë financiare, por janë një barrë që rrit varfërinë dhe vështirëson situatën financiare të familjeve dhe fermerëve. Institucionet mikrofinanciare janë krijuar për të mbështetur shtresat më të ndjeshme të shoqërisë, përfshirë familjet me të ardhura të ulëta, bizneset e vogla dhe bujqit, por sipas Aleancës, praktikat aktuale shndërrojnë kreditë në një formë të fajdesë së legalizuar.
AKB-ja ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet shtetërore, duke sugjeruar vendosjen e një tavan ligjor për normat e interesit, masa për mbrojtjen e qytetarëve nga kredi me kosto të papërballueshme, si dhe transparencë të plotë mbi fitimet dhe praktikat financiare të sektorit mikrofinanciar. Sipas Aleancës, pa ndërhyrje, ekziston rreziku që sistemi financiar të kontribuojë në thellimin e varfërisë dhe pabarazisë sociale në vend.
Kosova, sipas AKB-së, ka nevojë për financim të drejtë që të zhvillojë familjet, bujqit dhe ekonominë në përgjithësi, dhe jo për kredi që i fundos qytetarët.