Inflacioni në Kosovë, çmimet e konsumit u rritën për 5.8% në janar 2026

Inflacioni në Kosovë, çmimet e konsumit u rritën për 5.8% në janar 2026

Ekonomia February 18, 2026 - 15:49

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin janar 2026.

Sipas të dhënave të ASK-së, çmimet e konsumit shënuan një rritje prej 5,8% krahasuar me janarin e vitit 2025, ndërsa inflacioni mujor ishte 1.2% krahasuar me dhjetorin e vitit 2025.

Rritja vjetore e çmimeve lidhet kryesisht me ngritjen e çmimeve në disa grupe kryesore të COICOP-it, duke përfshirë: bileta të fluturimeve (50,4%), furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme të vendbanimit (44,4%), lëndë djegëse të ngurta si dru zjarri dhe pelet (17,2%), energji elektrike (16,7%), pemë (15,5%), mirëmbajtje dhe riparim i pajisjeve të transportit personal (15,1%), pushime të organizuara (13,5%) dhe mish (13,1%). Një ndikim të dukshëm në IHÇK kanë pasur edhe kafe, çaj dhe kakao (10,3%), qumësht, djathë dhe vezë (8,7%), shërbime hoteliere (8,6%) dhe shërbime ambulantore (8,2%).

Nga ana tjetër, ulje çmimesh është vërejtur te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, me -7,3%, duke ndikuar negativisht me -0,4 pikë përqindjeje në IHÇK.

Në bazë mujor, rritja prej 1,2% e janarit 2026 krahasuar me dhjetorin 2025, është e shpjeguar kryesisht nga rritja e çmimeve të bileta të fluturimeve (42,1%), furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme të vendbanimit (41,4%), lëndë djegëse të ngurta (4,6%), perime (4,2%) dhe energji elektrike (1,5%). Ulje çmimesh në muajin janar janë regjistruar po ashtu tek karburantet dhe lubrifikantët (-3,4%).

ASK-ja thekson se këto ndryshime reflektojnë luhatjet e çmimeve në sektorët kyç të ekonomisë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në fuqinë blerëse të qytetarëve. /Zëri