Raporti i GAP-it: Buxheti komunal 2026 me rritje të shpenzimeve, por me pabarazi në investime

Raporti i GAP-it: Buxheti komunal 2026 me rritje të shpenzimeve, por me pabarazi në investime

Ekonomia February 16, 2026 - 08:21

Instituti GAP ka publikuar një raport mbi buxhetin komunal për vitin 2026, duke evidentuar rritje të shpenzimeve në të gjitha kategoritë kryesore krahasuar me vitin 2025, por edhe pabarazi të theksuara në shpërndarjen e investimeve nga niveli qendror.

Sipas raportit, pagat në komuna pritet të rriten me 48.8 milionë euro apo 13 për qind, shpenzimet për mallra dhe shërbime me 6.78 milionë euro apo 5 për qind, shpenzimet komunale me 1.6 milionë euro apo 10 për qind, ndërsa subvencionet dhe transferet me 6.02 milionë euro apo 17 për qind. Investimet kapitale pritet të rriten me 16.6 milionë euro apo 7 për qind. GAP-i thekson se buxheti i 11 komunave duhet të rishikohet mes dy leximeve të buxhetit, pasi ato nuk e kishin miratuar buxhetin vjetor deri më 30 shtator 2025 për shkak të zgjedhjeve komunale dhe mungesës së informimit të asambleistëve.

Si pasojë, komunat Vushtrri, Suharekë, Viti, Lipjan, Malishevë, Shtime, Junik, Zubin Potok, Gjilan, Prizren dhe Prishtinë rrezikojnë të kenë buxhet të njëjtë në vitin 2026 si në vitin 2025. Instituti vlerëson se deputetët mund ta amandamentojnë projektbuxhetin për t’i përfshirë këto komuna në rritjen buxhetore, sipas metodologjisë së llogaritjes së buxhetit. Raporti vlerëson si praktikë pozitive faktin që Ministria e Financave nuk ka ulur buxhetin e komunave që kanë shënuar rënie të popullsisë, duke mos i penalizuar ato përkundër nevojave të larta për investime lokale.

GAP-i vëren se ende nuk është themeluar Granti i Katërt për komunat, duke theksuar se kjo vazhdon të krijojë dallime në përfitimin e investimeve nga niveli qendror. Për vitin 2026, ministritë planifikojnë të investojnë rreth 216.6 milionë euro në komuna, që përbën rreth 29 për qind të buxhetit të tyre për investime.

Nga këto, investimet e reja kapitale arrijnë 15 milionë euro, rreth 32 për qind më pak se në vitin 2025, ndërsa vetëm 23 komuna do të përfitojnë nga këto fonde të reja. Komuna të mëdha si Prishtina, Ferizaj dhe Fushë Kosova nuk kanë marrë asnjë investim të ri.Instituti thekson se shpërndarja e investimeve nga niveli qendror nuk është plotësisht proporcionale me popullsinë dhe sipërfaqen, duke nxjerrë në pah pabarazi në alokim. Sipas raportit, komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje përfitojnë 40.3 për qind të investimeve totale dhe 34 për qind të investimeve të reja, ndonëse përfaqësojnë 23.8 për qind të popullsisë dhe 18.3 për qind të sipërfaqes.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përfiton 29.5 për qind të investimeve të reja, ndonëse ka 14 për qind të popullsisë dhe 16.8 për qind të sipërfaqes. Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës merr 17.3 për qind të investimeve totale dhe 10.6 për qind të investimeve të reja, ndonëse përfaqëson 30.5 për qind të popullsisë dhe 25.6 për qind të sipërfaqes. Partia Demokratike e Kosovës ka një shpërndarje më të balancuar, ndërsa Lista Serbe përfiton rreth 2 për qind të investimeve.

Sipas GAP-it, komunat me investimet më të larta nga niveli qendror janë Gjilani me 30.7 milionë euro, Ferizaji me 21.4 milionë euro dhe Mitrovica me 19 milionë euro, ndërsa investimet më të ulëta janë regjistruar në Graçanicë, Obiliq dhe Zveçan. /telegrafi