Opozita kundër projektbuxheti, kërkojnë më shumë kohë
Foto: Laura Hasani

Opozita kundër projektbuxheti, kërkojnë më shumë kohë

Ekonomia February 13, 2026 - 16:48

Partitë opozitare nuk e kanë përkrahur prjektbuxhetin i cili sot është sjell në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ku u ratifikuan pesë marrëveshjet ndërkombëtare.

PDK-ja ka kërkuar kohë për të parë materialin rreth buxhetit, transmeton Zeri.info.

“Ne sot nuk e mbështesim këtë propozim, e kuptojmë rëndësinë, mirëpo duke pas parasysh se nevojitet kohë, kërkojmë afat tre ditë që deputetët të shohin materialin dhe ta analizojnë duke pas parasysh se është një dokument me 700 faqe dhe po flasim për projektligjin më të rëndësishëm”, tha Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahri.

Të njëjtin qëndrim e ka pasur edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili foli në emër të LDK-së, duke kërkuar që në seancën për projektligjin të jetë i pranishëm edhe kryeministri Albin Kurti.

“Nuk është serioze që për tri orë ta rishikojmë tërë buxhetin. Ky buxhet nuk e reflekton as këtë qeveri. Katër apo pesë ministri nuk kanë buxhet për veti. S’po flasim për zotimet e pardjeshme (të Kurtit) që thoshte do të bëhet kjo e ajo, që s’janë fare në buxhet, por katër ministri këtu nuk e kanë buxhetin e parashikuar”, ka thënë ai.

Image

Abdixhiku tha se ka ministri të cilat nuk e dinë nëse do kenë buxhet, duke ju referuar ministrive të reja.

Po ashtu të njëjtin qëndrim e ka paraqitur edhe AAK-ja, ku Shefi i Grupit Parlamentar, Besnik Tahiri tha se ka qështje që duhet të diskutohen para se të votohet buxheti. /Zëri

Image