Zeka pritet në Departamentin e Shtetit Amerikan

Zeka pritet në Departamentin e Shtetit Amerikan

Ekonomia February 12, 2026 - 15:56

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, është pritur në një takim zyrtar në Departamentin e Shtetit Amerikan, ku është diskutuar thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe institucional ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zeka e ka vlerësuar takimin me Lyn Debevois, zëvendësdrejtor për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Perëndimore në Departamentin e Shtetit, si produktiv, duke theksuar se gjatë këtij takimi janë prezantuar prioritetet kryesore të avokimit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Diskutimet janë përqendruar në forcimin e atraktivitetit të Kosovës për investimet amerikane, avancimin e politikave publike në fushën e energjisë dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor, si dhe në rëndësinë e krijimit të një bashkëpunimi më aktiv, më të strukturuar dhe më të qëndrueshëm ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.

Zeka ka shprehur gjithashtu vlerësimin për mbështetjen dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj përpjekjeve të Odës Amerikane, përfshirë edhe mbështetjen për agjendën e sovranitetit digjital të Kosovës.

Sipas tij, partneriteti me institucionet amerikane mbetet thelbësor për zhvillimin ekonomik të Kosovës, forcimin e klimës së investimeve dhe avancimin e reformave strukturore që synojnë një zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit. /Zëri