Sipas FMN-së, Kosova mbetet shteti me të ardhurat më të ulëta për kokë banori në Evropë
Kosova vijon të renditet si shteti me të ardhurat më të ulëta kokë banori në Evropë, sipas të dhënave më të fundit për vitin 2025, të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Me vetëm 8,033 dollarë për kokë banori, Kosova mbetet në fund të renditjes evropiane, duke reflektuar një nivel të ulët prodhimi ekonomik dhe një standard jetese dukshëm më të dobët krahasuar me vendet e rajonit.
Edhe pse ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje nominale vitet e fundit, të ardhurat për kokë banori mbeten të pamjaftueshme për të ndjekur ritmin e vendeve fqinje. Në krahasim, Shqipëria ka arritur një nivel prej rreth 11 mijë dollarësh për kokë banori në vitin 2025, duke u renditur e 83-ta në botë për këtë tregues. Megjithatë, edhe Shqipëria mbetet ndër vendet e fundit në Evropë, larg mesatares evropiane dhe asaj globale.
Në rajon, Serbia ka marrë kryesimin me 15.3 mijë dollarë për kokë banori, duke lënë pas Malin e Zi (14.9 mijë dollarë), ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina renditen mbi Kosovën, por nën Shqipërinë në disa tregues nominalë.
Kur të ardhurat për kokë banori maten sipas barazisë së fuqisë blerëse (PPP), tabloja për Kosovën mbetet edhe më shqetësuese. Ky tregues, që llogarit jo vetëm sa prodhon një ekonomi për person, por edhe sa mallra dhe shërbime mund të blejë realisht një qytetar në vendin e vet, e rendit Kosovën në vendin e 98-të në botë, shumë më poshtë se vendet e rajonit. Kjo tregon se fuqia reale blerëse e qytetarëve të Kosovës është e kufizuar dhe ndikohet fort nga të ardhurat e ulëta dhe struktura e dobët ekonomike.
Shqipëria, ndonëse renditet më mirë se Kosova në këtë tregues, mbetet prapa Maqedonisë së Veriut, duke reflektuar një kosto jetese relativisht më të lartë krahasuar me nivelin e të ardhurave. Shqipëria renditet e 85-ta në botë për të ardhurat për frymë sipas PPP, me rreth 23.3 mijë dollarë, ndërsa Maqedonia e Veriut mban vendin e 77-të.
Në terma krahasues, të ardhurat për kokë banori të Shqipërisë përbëjnë vetëm 28% të mesatares evropiane dhe rreth 23.7% të mesatares së Bashkimit Evropian, që arrin mbi 46 mijë dollarë. Shqipëria nuk ka arritur as mesataren globale prej 14.6 mijë dollarësh për kokë banori. Kosova, nga ana tjetër, mbetet edhe më larg këtyre niveleve, duke thelluar hendekun me Evropën./buletini ekonomik