Guvernatori i BQK-së takoi misionin e FMN-së

Guvernatori i BQK-së takoi misionin e FMN-së

Ekonomia February 04, 2026 - 10:44

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, së bashku me zëvendësguvernatorët ka zhvilluar takim me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë për zhvillimin e konsultimeve të rregullta sipas Nenit IV.

Misioni udhëhiqet nga David Amaglobeli, shef i Misionit të FMN-së për Kosovën dhe përfshin z. Sebastian Sosa, përfaqësues Rajonal i FMN-së për Ballkanin Perëndimor me seli në Vjenë, së bashku me stafin e FMN-së nga Washington DC.

Në takimin hapës, guvernatori Ismaili shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin e vazhdueshëm me FMN-në, si dhe për asistencën profesionale dhe teknike të ofruar ndër vite.

Ai prezantoi zhvillimet e fundit makroekonomike në Kosovë dhe theksoi stabilitetin e përgjithshëm të sektorit financiar. Po ashtu, guvernatori Ismaili informoi misionin e FMN-së për reformat në vazhdim në sektorin financiar, duke përfshirë avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse në fushën e stabilitetit financiar dhe modelimit makroekonomik, mbikëqyrjes financiare, mbikëqyrjes së praktikave të tregut, sigurisë kibernetike dhe inteligjencës artificiale.

Këto reforma mbështeten nga asistenca teknike e FMN-së, si dhe nga institucione të tjera financiare ndërkombëtare dhe banka qendrore partnere.

“Guvernatori Ismaili gjithashtu theksoi zhvillimet në sektorin bankar, duke nënvizuar nivelet e larta të kapitalizimit dhe likuiditetit, si dhe zhvillimet pozitive në sektorë të tjerë financiarë, të cilat në tërësi konfirmojnë stabilitetin e sistemit financiar në Kosovë”,thuhet në njoftim.

Nga ana e tij, Amaglobeli vlerësoi bashkëpunimin konstruktiv ndërmjet BQK-së dhe FMN-së dhe përgëzoi BQK-në për progresin e arritur në forcimin e kornizave institucionale dhe rregullative, si dhe për bashkëpunimin në fusha të ndryshme përmes asistencave teknike.

Gjatë takimit, diskutimet u fokusuan në zbatimin e rekomandimeve nga konsultimet e mëparshme të Nenit IV. Po ashtu, u diskutuan edhe mundësitë për aranzhime të reja me FMN-në, me theks të veçantë në forcimin dhe reformimin e mëtejmë të sistemit financiar.

Në përmbyllje të takimit, Guvernatori Ismaili vlerësoi lart mbështetjen profesionale dhe teknike afatgjatë të FMN-së për BQK-në, si në avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative, ashtu edhe në forcimin e kapaciteteve institucionale. Ai riafirmoi përkushtimin e BQK-së për vazhdimin e bashkëpunimit me FMN-në përmes projekteve dhe programeve që synojnë avancimin e reformave institucionale dhe arritjen e objektivave të përcaktuara në Planin Strategjik të BQK-së.

Misioni i FMN-së do të qëndrojë në Kosovë nga 3 deri më 13 shkurt, gjatë së cilës periudhë do të zhvillojë diskutime tematike me stafin e BQK-së, si dhe me institucione të tjera të Republikës së Kosovës, në përputhje me Nenin 4 të Marrëveshjes së FMN-së me vendet anëtare.