Rritje nga 350 në 425 euro: Zbatimi i pagës minimale në sektorin privat mbetet sfidë
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagës minimale në 425 euro bruto ka hyrë në fuqi nga janari i vitit 2026,. Sipas planit qeveritar, nga 1 korriku i këtij viti do të fillojë edhe faza e dytë e zbatimit, me ç’rast paga minimale pritet të rritet në 500 euro bruto.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishte deklaruar se rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat pritet të jenë përfitues të drejtpërdrejtë nga ky vendim.
Megjithatë, me hyrjen në muajin e dytë të vitit 2026, po raportohen vështirësi dhe paqartësi në zbatimin praktik të tij.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në FIVE të TV Dukagjinit ka thënë se deri më tani vetëm dy kompani kanë reaguar publikisht negativisht ndaj vendimit për rritjen e pagës minimale.
Ai ka ngritur shqetësime edhe për raste konkrete të moszbatimit të vendimit.
“Realisht kemi vetëm dy kompani që kanë reaguar negativisht lidhur me pagën minimale. Ende të gjitha kompaninë nuk u kanë derdhur mjetet e punëtorëve për pagën e muajit janar. Megjithatë kemi diçka shumë qesharake, përderisa në Klinë në Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare janë dhënë pagat nën pagën minimale, 325 euro. Tani kam informacion se dhe në Drenas, pronari i kompanisë u ka kruar punëtorëve që të nënshkruajnë kontratë me punëtorët që mbajnë mirëmbajtjen shkollave të mesme dhe teknike në Drenas. Kur iu është thënë që tash duhet të nënshkruani kontratë me 235 euro dhe duhet t punoni vetëm 4 orë. Dhe ne kemi apeluar si sidndiaktë që të mos nënshkruajnë kontratë për 4 orë punë brenda ditës.
Po shihet që nga momenti në moment që paga minimale në shumicën e rasteve nuk do të zbatohet. Por ne e kemi medikamentin, të cilin e kemi menduar, dhe do të japim afat disa kompanive deri në mesin e javës tjetër, përndryshe ne do t’i ndalim shërbimet tona”, ka thënë Azemi.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, në FIVE ka thënë se bizneset nuk janë kundër rritjes së pagës minimale dhe se ajo mund të ndikojë pozitivisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në rritjen e konsumit, gjë që sipas tij përfiton edhe vetë sektori privat.
Megjithatë, ai ka theksuar se mënyra dhe koha e marrjes së vendimit ka krijuar vështirësi për bizneset, pasi shumë kompani kanë kontrata dhe tenderë shumëvjeçarë, të lidhur në kohën kur paga minimale ishte rreth 320 euro.
Sipas Dreshajt, këto kontrata nuk mund të ndërpriten menjëherë dhe bizneset kanë nevojë për kohë që të përshtaten me ndryshimet e reja ligjore.
“Në parim lidhja e biznese dhe ne si përfaqësues të bizneseve nuk jemi kundër rritjes së pagës minimale. Dhe rritja e pagës minimale i ka anët pozitive, të cilat ndikojnë në mirëqenies e qytetarëve, njëkohësisht ndikon edhe në rritjen e konsumit, që në mënyrë zinxhirore përfitojnë edhe bizneset. Por vendime të tilla që nxjerrën një muaj para se të bëhen të plotfuqishme, kanë pasoja jashtëzakonisht të mëdha. Dhe sot edhe kryesindikalisti e ngriti si problem, por ne duhet të jemi të qartë dhe të kuptueshëm. Që shumë kompani kanë lidhur kontrata e tenderë me shumë kompani të ndryshme, të cilat pagat minimale ishte rreth 320 euro. Kontratat mund të jenë 2 vjeçare dhe tani nuk mund të bëhet shkëputja e tyre. Deri sa të bëhet plotësim/ndryshimi i kontratave të reja dhe kompanitë të përgatiten nuk duhen të fajësohen. Jemi në gjendje të rëndë të të bërit biznes”, ka thënë Dreshaj.