Pa fond emergjent dhe pa reagim nga Ministria e Financave, komunat të pafuqishme për kompensimin e dëmeve
Foto: Laura Hasani

Pa fond emergjent dhe pa reagim nga Ministria e Financave, komunat të pafuqishme për kompensimin e dëmeve

Ekonomia February 03, 2026 - 09:42

Vërshimet e muajit janar 2026 shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale në disa komuna të Kosovës, duke prekur dhjetëra familje dhe biznese. Megjithëse komunat formuan komisione dhe krijuan platforma për raportimin e dëmeve, këto aplikime, sikurse edhe në vitet e kaluara, rrezikojnë të mbesin vetëm dokumentacion në letër, për shkak të mungesës së kodit buxhetor dhe fondeve për kompensim.

Komunat më të prekura nga vërshimet e fillimit të këtij viti ishin Drenasi, Malisheva, Rahoveci, Skenderaj, Gjakova dhe Mitrovica, ndërsa në disa komuna të tjera situata u përballua më lehtë.

Si ishte situata në të kaluarën?

Problemi i kompensimit të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore vazhdon që nga viti 2016. Familjet dhe bizneset e prekura ndër vite nuk janë kompensuar plotësisht, pasi nuk ekziston një rregullore e qartë që u mundëson komunave realizimin e pagesave, përveç rasteve kur Ministria e Financave ndan mjete specifike për këtë qëllim, pasi mungon "Fondi i Emergjencave".

Në një përgjigje për Telegrafin, drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, shpjegoi arsyet pse pagesat për dëmet nuk janë realizuar plotësisht.

“Arsyet kryesore janë disa dhe kryesisht lidhen me kufizimet ligjore dhe financiare me të cilat përballen komunat, ato nuk kanë një fond të veçantë emergjent për kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe nuk kanë mjete të mjaftueshme për situata të tilla të jashtëzakonshme”, tha ai.

Sipas Ibrahimit, ligji aktual nuk u jep komunave mundësi për pagesa të drejtpërdrejta për kompensimin e dëmeve.

“Ligji aktual nuk ua mundëson komunave që të bëjnë pagesa të drejtpërdrejta për kompensim të dëmeve. Procedurat e vlerësimit të dëmeve janë të ndërlikuara dhe kërkojnë komisione profesionale, raporte zyrtare dhe verifikime të shumta, gjë që e zgjat procesin”, theksoi ai.

Ibrahimi shtoi se kompetencat kryesore dhe mekanizmat financiarë për menaxhimin e fatkeqësive natyrore janë të përqendruara në nivelin qendror.

“Pjesa më e madhe e kompetencave dhe mekanizmave financiarë për menaxhimin e fatkeqësive natyrore janë të përqendruara në nivelin qendror, ndërsa komunat nuk kanë instrumente të mjaftueshme për të reaguar financiarisht”, potencoi drejtori i AKK-së.

Ai bëri të ditur se Asociacioni i Komunave të Kosovës është duke lobuar në Qeveri dhe Kuvendin e Kosovës për krijimin e një Fondi Kombëtar Emergjent për Komuna.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës është duke ndërmarrë disa hapa konkretë. Ne vazhdimisht po lobojmë pranë Qeverisë dhe Kuvendit për krijimin e një Fondi Kombëtar Emergjent për Komuna, i cili do të mundësonte reagim të shpejtë financiar në raste fatkeqësish natyrore”, tha Ibrahimi.

Ai shtoi se AKK po kërkon edhe ndryshime ligjore që komunave t’u jepet bazë më e qartë juridike për kompensimin e dëmeve dhe për menaxhimin e situatave emergjente.

“Po punojmë me komunat për ngritjen e kapaciteteve të tyre profesionale sa i përket menaxhimit më të lehtë të situatave emergjente”, deklaroi ai.

Sipas Ibrahimit, për të shmangur mbetjen pa përkrahje të qytetarëve dhe bizneseve, është e domosdoshme një qasje e koordinuar ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal.

“AKK-ja ka propozuar që në kuadër të buxhetit të shtetit të parashihet një linjë e veçantë për mbështetjen e komunave të prekura nga vërshimet, në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të mos mbeten pa përkrahje. Qëndrimi ynë është i qartë: komunat nuk mund të përballojnë pasojat financiare të fatkeqësive natyrore. Prandaj nevojitet një qasje e koordinuar ndërmjet nivelit qendror dhe lokal, me mekanizma të qëndrueshëm financiarë dhe ligjorë”, përfundoi ai.

Çfarë thonë komunat?

Ndërkaq, drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në Komunën e Drenasit, Nexhmedin Gruda, bëri të ditur se aktualisht janë duke u përgatitur raportet përfundimtare për vërshimet e fundit, të cilat më pas do të procedohen në Kuvendin Komunal.

“Në bazë të kompetencave të DShPE-së, kemi këto të dhëna për gjendjen aktuale të pagesave për dëmet nga vërshimet për vitet e fundit. Aktualisht, Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore dhe fatkeqësitë e tjera është në fazën e përgatitjes së raportit përfundimtar lidhur me vërshimet e ndodhura nga data 6 deri më 11 janar. Pas përfundimit të raportit, i njëjti do të procedohet për miratim në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal dhe më pas do t’i dërgohet Komisionit Qeveritar për Vlerësimin e Dëmeve, me qëllim të procesimit për pagesë”, tha Gruda.

Ai theksoi se, pavarësisht aplikimeve me kohë nga qytetarët dhe bizneset, kompensimi nuk ka qenë i mundur për shkak të mungesës së fondit emergjent.

“Komuna e Drenasit nuk ka fond emergjent dhe, për shkak të kufizimeve buxhetore, nuk ka mundësi të realizojë pagesa të kësaj natyre”, bëri të ditur Gruda.

Sipas tij, Komuna e Drenasit ka realizuar pagesa të pjesshme për dëmet nga vërshimet në vitet 2016, 2021 dhe 2023.

“Në bazë të raporteve të komisioneve të vlerësimit për vitet 2016, 2021 dhe 2023, disponojmë këto të dhëna. Për dëmet e shkaktuara në vitin 2016 është realizuar një pagesë e pjesshme”, deklaroi ai.

Sipas të dhënave të prezantuara, dëmet e vitit 2016 përfshijnë: biznese 44,990.00 euro, ekonomi familjare 5,198.00 euro, infrastrukturë 71,320.00 euro dhe bujqësi 48,387.00 euro.

Ndërsa për vitin 2021, dëmet e raportuara janë: biznese 479,517.00 euro, ekonomi familjare 217,643.20 euro, infrastrukturë 1,705,000.00 euro dhe bujqësi 6,738.20 euro.

Për vitin 2024, sipas Grudës, janë realizuar pagesa për dëme në ndërtim në vlerë 52,510.68 euro dhe në bujqësi 162,794.19 euro.

Nga Komuna e Rahovecit, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Irfan Berisha, tha për Telegrafin se dëmet nga vërshimet janë kompensuar vetëm pjesërisht.

“Në vitin 2022, dëmet në bujqësi dhe ekonomi familjare janë kompensuar, ndërsa dëmet në biznese jo”, tha Berisha.

Ai shtoi se për vitet 2023 dhe 2024 raportet janë dërguar në komisionin qendror, por ende nuk ka pasur kompensim.

“Dëmet e shkaktuara nga vërshimet e datës 5, 6 dhe 7 janar 2026, raporti ka kaluar dhe është votuar në Kuvendin Komunal në janar 2026. Sipas procedurave, janë duke u kompletuar dosjet dhe shumë shpejt do të dorëzohen në komisionin qendror për kompensim të dëmeve”, deklaroi Berisha.

Ai përfundoi duke theksuar se qytetarët duhet të kompensohen për dëmet e shkaktuara nga vërshimet dhe fatkeqësitë e tjera.

Ndërkohë, zyrtari për media në Komunën e Malishevës, Artan Paçarizi, bëri të ditur se dëmet nga vërshimet nuk po kompensohen në tërësi për shkak të mungesës së kodit buxhetor.

“Ka pasur raste kur janë përkrahur në ndonjë situatë të caktuar, por kur ka vërshime masive jo, sepse nuk ka fond emergjent. Edhe po të ketë buxhet, nuk ka kod buxhetor. Në rastet e vërshimeve, dëmet nuk janë kompensuar”, tha ai.

Sipas Paçarizit, dëmet nga vërshimet e viteve 2016, 2021 dhe 2026, që kanë qenë të përmasave të mëdha, nuk janë kompensuar asnjëherë.

“Problemi është i njëjtë ndër vite: pa fond emergjent, pa kod buxhetor dhe me buxhet të limituar, nuk mund të kompensohen qytetarët apo bizneset nga dëmet e vërshimeve”, u shpreh ai.

Paçarizi theksoi se përgjegjësia për kompensim i takon nivelit qendror.

“Për kompensim nuk ka ndarje buxhetore. Është detyrë dhe përgjegjësi direkte e Qeverisë, përmes ministrive dhe sektorëve përkatës, që t’i realizojë këto pagesa”, përfundoi ai.

Në lidhje me këto ankesa të komunave, Telegrafi ka kontaktuar edhe Ministrinë e Financave, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka pranuar përgjigje.