Sot afati i fundit për aplikim në skemën e granteve për energji të pastër për prodhuesit

Sot afati i fundit për aplikim në skemën e granteve për energji të pastër për prodhuesit

Ekonomia January 31, 2026 - 08:46

Sot është dita e fundit për të aplikuar në Skemën e Granteve për Energji të Pastër, e dedikuar për ndërmarrjet prodhuese dhe përpunuese në Kosovë, përmes së cilës bizneset mund të përfitojnë mbështetje financiare deri në 20 mijë euro për një masë të vetme dhe deri në 25 mijë euro për masa të kombinuara.

Thirrja publike, e cila ka qenë e hapur që nga 10 tetori 2025, mbyllet sonte, më 31 janar 2026, në ora 24:00. Skema financohet nga Dukati i Madh i Luksemburgut, me vlerë totale prej 1 milion euro, dhe zbatohet nga KIESA/MINT, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe LuxDev – Agjencinë e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.

Thirrja u dedikohet ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe ndërmarrjeve të mëdha që nuk përfitojnë nga tarifat e rregulluara të energjisë elektrike, të cilat kanë si aktivitet primar ose sekondar prodhimin apo përpunimin.

Gjatë periudhës së aplikimit janë organizuar disa sesione informuese me biznese dhe palë të interesit, ndërsa autoritetet bëjnë të ditur se një numër i konsiderueshëm i ndërmarrjeve kanë aplikuar tashmë për përfitim nga kjo skemë mbështetëse.

Bizneset që janë ende në proces të aplikimit ftohen që ta përmbyllin procedurën brenda afatit të sotëm, në mënyrë që aplikimi i tyre të konsiderohet i vlefshëm.

  • Skema përfshin tri masa kryesore:
  • instalimin e sistemeve solare dhe baterive për ruajtje të energjisë,
  • masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat e bizneseve,
  • pajisje për uljen e konsumit të energjisë në linjat e prodhimit.

Përveç mbështetjes financiare, përfituesit do të kenë qasje edhe në ngritje kapacitetesh dhe asistencë teknike, me qëllim të sigurimit të investimeve të qëndrueshme dhe afatgjata në sektorin e energjisë së pastër.