KESCO kërkon rritje të çmimit të rrymës prej 21,4%
KESCO ka dorëzuar zyrtarisht në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) aplikimin për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026.
Sipas KEKSCO-s, kjo kërkesë pasqyron nevojat financiare për të garantuar një furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor me energji elektrike për të gjithë konsumatorët që hyjnë në kategorinë e shërbimit universal.
Sipas kërkesës, KESCO ka kërkuar rritje të çmimit të energjisë elektrike për 21,4 për qind për vitin 2026, transmeton Zeri.info.
Pikat kryesore të kërkesës:
Rritja e varësisë nga importi: Për shkak të rehabilitimit të planifikuar të njësisë Kosova B1 (që pritet të zgjasë rreth 8 muaj), prodhimi vendor do të jetë i kufizuar. Kjo rrit nevojën për import të energjisë, i cili mbulon rreth 9% të kërkesës por ka kosto dukshëm më të lartë se prodhimi vendor.
Kostot e operimit: KESCO ka theksuar rritjen e presionit operacional prej rritjes së numrit të konsumatorëve (rreth 4% në vit) dhe procesit të liberalizimit të tregut. Po ashtu, ndikim të drejtpërdrejtë pritet të ketë rritja e pagës minimale në nivel vendi dhe inflacioni i përgjithshëm.
Investimet në rrjet dhe bartja e kostove: Një pjesë e rëndësishme e tarifës përfshin kostot e bartshme për Operatorin e Sistemit të Transmetimit (KOSTT) dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS), ku është aplikuar një rritje e supozuar prej 20% për qëllime të transparencës ndaj publikut.
Faktori korrigjues: Kërkesa përfshin adresimin e dallimeve ndërmjet kostove të lejuara dhe atyre reale të realizuara gjatë vitit 2025, veçanërisht për shkak të blerjeve të paparashikuara të importit dhe sfidave të tranzicionit në tregun e hapur.