Mbyllet sot afati për propozimin e tarifave, a po shtrenjtohet sërish rryma?
ZRRE-ja ka thënë se të premten përfundon afati për dorëzimin e aplikacioneve nga operatorët e sektorit energjetik në Kosovë, lidhur me kostot dhe të hyrat e lejuara maksimale, që janë përcaktuese të tarifave të energjisë elektrike, të cilat pritet të hyjnë në fuqi në muajin prill.
“Në këtë fazë, nuk mund të paragjykohet nëse propozimet fillestare do të rezultojnë në rritje të tarifave për konsumatorët. Çdo ndikim i mundshëm tarifor do të vlerësohet vetëm pas analizës së plotë të aplikacioneve dhe pas procesit të konsultimit publik. Vendimi final do të merret pas shqyrtimit të komenteve dhe vërejtjeve të pranuara gjatë konsultimit, në përputhje me afatet dhe procedurat e përcaktuara me ligj”.
Aplikimet për shqyrtimin vjetor të tarifave vijnë në kohën kur KEK-u u ballafaqua me rënie të shpeshtë të blloqeve, rrjedhimisht edhe me reduktime të paparalajmëruara. Mes këtyre zhvillimeve drejtori i dhomës së tregtisë Kushtrim Ahmeti, ngre dyshime se procesi i shqyrtimit të tarifave tani nuk është rastësi. Kësisoj, Ahmeti, thotë se kriza energjetike në Kosovë krijohet më qëllim të shtrenjtimit të ri.
“Çështja e rritjes së çmimit të energjisë ka një element zinxhiror sepse zinxhiri negativ nuk përfundon me kaq sepse çdo vendim që merret ka ndikim negativ të vazhdueshëm dhe sidomos tash kur jemi në këtë periudhën kur ZRRE-ja po merr propozimet e reja për tarifat e energjisë dhe sipas informatave të fundit të gjithë akterët energjetik kanë kërkuar shtrenjtim të rrymës…”, tha Ahmeti për rtv21.
ZRRE-ja në prill të vitit 2025 mori vendim që ta shtrenjtojë rrymën për të gjithë konsumatorët për 16.1%. Megjithatë, të dhënat e Agjencisë së statistikave flasin për një rritje të vazhdueshme të rrymës, për çdo muaj nga 8 deri në 18%. Në 5 vjetët e fundit Kosova, edhe pse fle mbi thëngjill, vlerësohet të ketë importuar rrymë mbi 800 milionë euro. Ndërkaq, në jo pak raste, thuhet se është paguar një kosto jashtëzakonisht e lartë edhe për transportin e energjisë. Sido që të jetë, një shtrenjtim i ri i energjisë elektrike, i katërti me radhë gjatë qeverisjes së LVV-së do të jetë goditje e rëndë për qytetarët në Kosovë.