KEK-u rikthen operimin me pesë njësi gjeneruese, rifillon me sukses Njësia A3
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se Njësia A3 ka rifilluar me sukses operimin, pas përfundimit të të gjitha sanimeve dhe ndërhyrjeve teknike, të realizuara pas ndaljes së përkohshme.
Sipas KEK-ut, Njësia A3 është startuar dhe është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 06:47, duke respektuar të gjitha standardet operacionale dhe parametrat e sigurisë.
Me rikthimin në operim të Njësisë A3, KEK sh.a. aktualisht operon me pesë njësi gjeneruese aktive: A3, A4, A5, B1 dhe B2. Kjo gjendje operative, sipas Korporatës, garanton vazhdimësinë e prodhimit, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit elektroenergjetik të Republikës së Kosovës, për aq kohë sa lejojnë parametrat operacionalë.
KEK-u ka vlerësuar lart punën e ekipeve teknike dhe menaxhuese, duke theksuar se ky rezultat dëshmon aftësinë profesionale për të realizuar ndërhyrje preventive dhe riparime të nevojshme brenda kohës optimale.
Në njoftim thuhet gjithashtu se KEK-u mbetet i përkushtuar ndaj prodhimit të vazhdueshëm të energjisë elektrike, stabilitetit të sistemit dhe besueshmërisë së plotë të rrjetit elektroenergjetik, duke garantuar furnizim të sigurt për qytetarët e vendit. /Zëri