ZRRE-ja me reagim për “borxhin e keq”: E papranueshme kërkesa nga KESCO për rritjen e tij
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka tentuar të japë një sqarim publik lidhur me trajtimin e borxhit të keq në procesin tarfior, duke thënë se në bazë të projeksioneve të fundit, të dhënat tregojnë përmirësim të arkëtimit pas pandemisë dhe mbi këtë bazë dhe duke u bazuar në studime që i kanë paraprirë kësaj, ZRRE-ja ka vendosur që niveli i borxhit të keq të jetë 1.8% për vitin 2025, 1.6% për vitin 2026 dhe 1.4% për vitin 2027.
“ZRRE-ja siguron qytetarët se asnjë vendim tarifor nuk merret për të mbrojtur mospagesën, por për të garantuar stabilitet të furnizimit”, thuhet në shkrim.
Sqarimi i plotë i ZRRE-së, pa ndërhyrje:
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), me qëllim të informimit të saktë të publikut, sqaron kuptimin dhe zbatimin e borxhit të keq në kuadër të sistemit tarifor. Borxhi i keq është një element i rregulluar qartë në Rregullën për Vendosjen e të Hyrave të Furnizuesit me Shërbim Universal dhe zbatohet prej vitesh në të gjitha proceset tarifore, për të siguruar që tarifat të reflektojnë kosto reale dhe të verifikuara, si dhe të mbrojnë konsumatorët që paguajnë rregullisht.
Borxh i keq konsiderohet vetëm ajo pjesë e detyrimit financiar, qe edhe pas ndjekjes së të gjitha procedurave ligjore dhe pas shterimit të të gjithë mekanizmave ligjorë të arkëtimit, mbetet realisht i paarkëtueshëm.
ZRRE-ja nuk i pranon automatikisht kërkesat e operatorit sepse rregullimi tarifor nuk ndërtohet mbi supozime, por mbi fakte të verifikuara dhe çdo kërkesë i nënshtrohet analizës dhe vlerësimit profesionale prandaj kërkesa nga KESCO për rritjen e borxhit të keq në rreth 5% është e papranueshme për ZRRE-në.
Në bazë të projeksioneve të fundit, të dhënat tregojnë përmirësim të arkëtimit pas pandemisë dhe mbi këtë bazë, dhe duke u bazuar në studime që i kane paraprirë kësaj, ZRRE-ja ka vendosur që niveli i borxhit të keq të jetë 1.8% për vitin 2025, 1.6% për vitin 2026 dhe 1.4% për vitin 2027 .
ZRRE-ja siguron qytetarët se asnjë vendim tarifor nuk merret për të mbrojtur mospagesën, por për të garantuar stabilitet të furnizimit.
Të gjitha proceset rregullatore të ZRRE-së janë publike dhe transparente. Çdo vlerësim bazohet në raporte profesionale të publikuara për konsultim dhe vendimmarrja përfundimtare merret nga Bordi i ZRRE-së vetëm pas shqyrtimit të komenteve të të gjitha palëve të interesit. Kjo garanton vendime të bazuara, të ligjshme dhe në interes të përgjithshëm publik.
Të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me proceset tarifore mund të sigurohen përmes linkut në vijim: https://www.ero-ks.org/…/proceset-e-shqyrtimeve-tarifore