LBK-ja takon Presidenten e Parlamentit të Gjenevës, pritet organizimi i një Forumi të Bizneseve
Në zyrat e Lidhjes së Bizneseve të Kosovës (LBK) u zhvillua sot një takim me Presidenten e Parlamentit të Gjenevës, Ana Roch, ku u diskutua forcimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Kantonit të Gjenevës, si dhe krijimi i mundësive të reja për bizneset kosovare në tregun zviceran.
Kryetari i LBK, Besart Dreshaj, falënderoi Presidenten Roch për angazhimin dhe punën e saj në forcimin e bashkëpunimit, duke theksuar rëndësinë e krijimit të urave të qëndrueshme të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Nga ana e saj, Presidentja e Parlamentit të Kantonit të Gjenevës shprehu gatishmërinë dhe përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, si dhe për promovimin e produkteve dhe potencialit ekonomik të Kosovës në Zvicër.
Po ashtu, u theksua se në muajt në vijim pritet të organizohet një Forum i Bizneseve, i cili do të bashkojë bizneset e Kosovës dhe ato të Kantonit të Gjenevës, me synim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe krijimin e partneriteteve konkrete.